Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Kuvendit të Republikës së Kosovës

, 23.06.2011




Kuvendi i Republikës së Kosovës ka mbajtur sot mbledhjen e rregullt plenare, gjatë të cilës deputetët kanë miratuar në lexim të dytë gjashtë projektligje, një në parim, një propozim-vendim qeverisë dhe Planin kombëtar të shpërndarjes së spektrit radiofrekuencor.

Në këtë mbledhje, e cila u udhëhoq nga dr. Jakup Krasniqi, kryetar i Kuvendit, deputetët miratuan në parim Projektligjin për nisma legjislative, të cilin e prezantoi zëvendëskryeministri Bujar Bukoshi. Duke e prezantuar projektligjin, Bukoshi theksoi se ai buron nga Kushtetuta e Republikës së Kosovës dhe ka për qëllim të mundësojë pjesëmarrjen e drejtpërdrejtë të qytetarëve në legjislacion. Sipas tij, ky projektligj përcakton rregullat dhe procedurat për nisma legjislative, të cilat mund t’i ndërmarrë presidenti, deputetët, qeveria apo së paku 10 mijë qytetarë me të drejtë vote.

Pas diskutimeve, Kuvendi miratoi në parim këtë projektligj duke angazhuar komisionet përkatëse që në afatin e përcaktuar të sjellin raportet me rekomandime.

Në lexim të dytë, ndërkaq, u miratuan këto projektligje, me amendamente të komisioneve funksionale: Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për tregtinë e brendshme, Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për shoqëritë tregtare, Projektligji për shërbimet e sigurisë private, Projektligji për efiçiencën e energjisë, Projektligji për gjendjen civile dhe Projektligji për sigurimin e detyrueshëm nga autopërgjegjësia (ky i fundit, me disa amendamente të deputetes Suzan Novobërdaliu, me përkrahje të komisionit funksional).

Miratimin e Kuvendit, gjithashtu, e mori edhe Plani kombëtar i shpërndarjes së spektrit radiofrekuencor dhe propozim-vendimi i Qeverisë së Kosovës për emërimin e anëtarëve të Agjencisë për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, në përbërje: Ruzhdi Jashari, kryesues, Ramadan Qehaja, Mentor Hoxhaj, Bekim Demiri dhe Aleksandër Spasiq, anëtarë. 

Nga mbledhja e Kuvendit të Republikës së Kosovës