Lajmet e fundit
Nga Komisioni për Bujqësi ...
, 23.06.2011
Me kërkesë të Komisionit për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural dhe Mjedis e Planifikim Hapësinor të Kuvendit të Kosovës, drejtori i Agjencionit të Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), Valdet Gjinovci, raportoi lidhur me preventivën, kontrollin dhe eradikimin e sëmundjes së tërbimit të kafshëve.
Kryetari i Komisionit, Nait Hasani, duke iu referuar Ligjit për veterinarinë i cili parasheh vaksinimin e qenve kundër tërbimit, tha se ky ligj nuk po gjen zbatim në shumë komuna të Kosovës. Sipas Hasanit, ndonëse vaksinimin duhet ta bëjnë institucionet e licencuara veterinare në bashkëpunim me komunat, të kontraktuara nga Agjencioni i Ushqimit dhe Veterinarisë, ato nuk po e bëjnë. Ai me këtë rast potencoi komunat të cilat s’e kanë përmbushur obligimin ligjor për vaksinimin e qenve.
Ndërkaq, drejtori i AUV-së, Valdet Gjinovci, foli për obligimet ligjore që ka ky agjencion.
Nga viti 2002 deri në vitin 2005, vijoi Gjinovci, pagesat për shërbimin e vaksinimit e ka bërë AUV-ja. Në programin e vaksinimit, tha ai, kanë qenë të përfshirë 55 mijë qenë dhe mace në tërë territorin e Kosovës. “Pas vitit 2005, kemi pasur vështirësi në realizimin e këtij projekti për shkak se nga ana e kuvendeve komunale s’është bërë pagesa për vaksinim. Por, duke ditur rëndësinë e kësaj sëmundje, praktikantë vullnetarë e kanë bërë vaksinimin në teren”, theksoi Gjinovci. Duke folur për masat e marra nga AUV-ja, drejtori Gjinovci tha se AUV-ja, së bashku me kryesinë e Odës Veterinare të Kosovës kanë bërë kërkesë zyrtare kryetarëve të komunave dhe drejtorive përkatëse për planifikimin buxhetorë për realizimin e projekteve të vaksinimit.
Drejtori i AUV-së sqaroi se sipas Urdhëresës Administrative 10/2005, neni katër i saj obligon kuvendet komunale të realizojnë pagesën për kryerjen e vaksinimit.
Anëtarët e Komisionit, ndërkaq kërkuan që agjencioni dhe të gjithë faktorët relevant të merren me vaksinimin apo likuidimin e qenve endacakë.
Në këtë mbledhje, Komisioni miratoi edhe raportin me rekomandime të Projektligjit për themelimin e regjistrit të pronës së paluajtshme dhe bëri emërimin e tre ekspertëve për amendamentimi e Projektligjit për verëra.