Lajmet e fundit

Grupi Parlamentar i Deputetëve të Rinj takohet me ministrin e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë dhe Këshillin Rinor Kosovar

, 01.07.2011




Grupi Parlamentar i Deputetëve të Rinj pas ngritjes së shqetësimit të
maturantëve për mbarëvajtjen e testit shtetëror të Maturës 2011, dhe duke pasur parasysh rekomandimet nga debatet dhe konsultimet e organizuara nga Këshilli i Nxënësve të Kosovës me nxënës të shkollave të mesme në tërë territorin e Kosovës, organizoi takimin e përbashkët mes deputetëve të bordit të Grupit Parlamentar të Deputetëve të Rinj, përfaqësuesve të Këshillit Rinor Kosovar dhe ministrit të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë z. Ramë Buja.

Objektivë e këtij takimi ishte shprehja e brengave dhe vërejtjeve nga ana a përfaqësuesve të Këshillit Rinor Kosovar lidhur me procesin e testit te maturës duke pasur parasysh rezultatet e dobëta të arritura vitet e kaluara në këtë test. Këta përfaqësues pasi kishin analizuar këtë proces patën mundësinë që me ndihmën e Grupit Parlamentar të Deputetëve të Rinj të gjitha vërejtjet t'ia shprehnin drejtpërdrejtë ministrit z. Ramë Buja.

Kujtim Sermanxhaj përfaqësues nga Këshilli Rinor Kosovar në këtë takim fillimisht prezantoi organizatën e tyre. Këshilli i Nxënësve të Kosovës përkrahur nga Këshilli Rinor Kosovar dhe me mbështetje nga UNICEF dhe MASHT-i ka punuar në forcimin dhe strukturimin e strukturave përfaqësuese të nxënësve në shkollat e mesme të Kosovës. Ky këshill është i shtrirë në 25 komuna të Kosovës, me më tepër se 80 përfaqësues. Përveç aktiviteteve të përgjithshme, ky këshill synim primar kishte edhe monitorimin e Ligjit për Arsimin Fillor dhe të Mesëm. Nga viti 2009 Këshilli i Nxënësve të Kosovës kishte kërkuar nga MASHT-i lejimin e monitorimit të procesit të maturës, por kjo kërkesë nuk iu ishte aprovuar asnjëherë. Vërejtjet e tyre kishin të bënin me mungesën e informimit me kohë për testin e maturës, nevojën për përgatitje dhe angazhim shtesë, monitorimin jo të mirë, problemet lidhur me pyetjet dhe planprogramin, kopjimin, bashkëpunimin dhe trajtimin jo të barabartë të nxënësve, heqjen e pagesës prej 5 euro, etj. Bazuar në këto vërejtje, këta përfaqësues i propozuan ministrit disa nga kërkesat e tyre e që kishin të bënin me gjithëpërfshirjen dhe transparencën e procesit të Maturës Shtetërore. Kërkesë tjetër ishte që të gjitha institucionet të marrin pjesën e vet të përgjegjësisë në mënyre që ky test të jetë i pranueshëm nga të gjitha palët. Ata kërkuan gjithashtu që MASHT t'i informojë maturantët në fillim të vitit shkollor për procedurat e testit dhe të mos i ndërroj ato përgjatë vitit shkollor, të hartojë një manual me pyetje dhe përgjigje për testin shtetëror të maturës që t'iu shërbejë nxënësve si udhëzues praktik. Gjithashtu kërkesë e tyre ishte edhe dëshira për ta bërë këtë këshill kategori ligjore, të paraparë me ligj në mënyrë që këshilli të ketë mbështetje institucionale në vendimmarrje, të ketë donacione(hapësirë, zyre, kushte për punë, mbajtja e një kuvendi të përgjithshëm), si dhe të pavarësohet dhe të jetë i qëndrueshëm. Në fund përfaqësuesit e këtij këshilli kërkuan që të gjitha institucionet përgjegjëse për organizimin e maturës shtetërore të garantojnë standarde të caktuara dhe të njëjta në të gjitha vendet ku mbahet testi.

Ndërsa deputetja Ganimete Musliu, kryetare e Grupit Parlamentar të Deputetëve të Rinj falënderoi ministrin z. Ramë Buja për gatishmërinë e tij për t'u takuar dhe për t'i dëgjuar brengat e këtyre nxënësve, duke mbështetur deklaratat për ngritjen e cilësisë në arsim si dhe përmirësimit të kushteve për këta nxënës.

Edhe deputeti Jeton Svirca, anëtar i bordit të Grupit Parlamentar të Deputetëve të Rinj dhe njëkohësisht anëtar i Komisionit për Arsim, Kulturë, Rini, Sport, Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media në Kuvendin e Kosovës, u shpreh se i vjen mirë që të rinjtë sot kanë mundësi që drejtpërdrejtë të flasin me ministrin për problemet që ata i kanë.

Ministri Buja me këtë rast ka thënë se, sa i përket çështjes së Maturës Shtetërore 2011, MASHT-i ka bërë një pilotim për të cilin ka menduar se është më i miri. Ministri i Arsimit edhe një herë ka ripërsëritur se MASHT-i është synues dhe insistues që të arrihet edhe më tej cilësi në arsim. Ministri i Arsimit, po ashtu ka propozuar legalizimin e bashkëpunimit në mes të MASHT-it dhe Këshillit të Nxënësve të Kosovës.

Grupi Parlamentar i Deputetëve të Rinj takohet me ministrin e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë dhe Këshillin Rinor Kosovar