Lajmet e fundit

Mbledhja e Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e FSK-së

, 07.07.2011




Në mbledhjen e sotme të Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë, kryesuar nga Ahmet Isufi, u shqyrtua raporti i Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB), lidhur me obligimet e saj që dalin nga Raporti i Progresit për Kosovën të vitit 2010.

Në mbledhje ishte i pranishëm edhe ministri i kësaj ministrie, Bajram Rexhepi.

Fillimisht, kryetari i Komisionit falënderoi ministrin për gatishmërinë e tij që të raportojë. Në vijim ai theksoi se Komisioni është i përkushtuar për të dhënë kontributin maksimal në mënyrë që raporti i ardhshëm të jetë pozitiv për MPB-në dhe Kosovën.

Ministri, ndërkaq, duke folur për masat e marra nga ministria u fokusua në ato që kanë të bëjnë me: Luftën kundër korrupsionit, parandalimin e torturës dhe përdorimin e tepërt të forcës nga policia dhe stafi i burgjeve, luftën kundër kontrabandës dhe falsifikimit, menaxhimin e integruar të kufijve dhe krimet ekonomike. Ministri, Rexhepi foli edhe për hetimet e deritashme lidhur me vjedhjen në Dhomën e Dëshmive dhe çështje tjera për të cilat treguan interesim anëtarët e Komisionit.

Duke paraqitur sukseset e kësaj ministrie, Rexhepi u shpreh optimist lidhur me Raportin e ardhshëm të Progresit për Kosovën. " S'dua të prejudikoj se si do të jetë raporti për Kosovën, por, lidhur me MPB-në pres raport pozitiv", tha ministri Rexhepi.

Anëtarët e Komisionit vlerësuan se Raporti i Progresit pasqyron në mënyrë reale punën e MPB-së, dhe vlerësuan lart rritjen e efikasitetit të kësaj ministrie për luftën kundër krimit tët organizuar dhe atij ordiner.

Mbledhja e Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e FSK-së