Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Kryesisë së Kuvendit

, 19.07.2011




Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, në mbledhjen e sotme të drejtuar nga dr. Jakup Krasniqi, kryetar i Kuvendit, në të cilën merrnin pjesë edhe shefat e grupeve parlamentare, ka plotësuar rendin e ditës për mbledhjen plenare të 21 korrikut.

Fillimi i seancës është rezervuar për deklarime jashtë rendit të ditës, si dhe për pyetjet parlamentare, për punën e Qeverisë së Kosovës.

Në vazhdim do të shqyrtohen për herë të dytë: Projektligji për bashkëpunim ndërkomunal dhe partneritet, Projektligji për ndryshim dhe plotësim të Ligjit për themelimin e regjistrit te të drejtave të pronës së paluajtshme, Projektligji për Këshillin Ekonomiko-Social, Projektligji për mbrojtje nga zjarri, Projektligji për Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës për çështjet që lidhen me Agjencinë Kosovare të Privatizimit, Projektligji për Agjencinë Kosovare të Privatizimit, Projektligji për riorganizimin e ndërmarrjeve të caktuara dhe pasurisë së tyre, Projektligji për statistikat zyrtare të Republikës së Kosovës, Projektligji për arsimin e lartë në Republikën e Kosovës, Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit nr. 03/L-001 për përfitimin e ish zyrtarëve të lartë, si dhe Projektligji për kërkesat teknike për produkte dhe vlerësim të konformitetit,

Për herë të parë, ndërkaq do të shqyrtohet Projektligji për rregullimin e tokës, kurse në vazhdim do të shqyrtohen: Raporti i punës të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, për vitin 2010, Raporti i Komisionit për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale, për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit nr. 02/L-36 për duhanin dhe Ligji nr. 03/L-157 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për duhanin ( pika këto të miratuar në mbledhjen e Kryesisë më 12 korrik).

Kryesia ka vendosur sot që këtij rendi të ditës t'i shtohet edhe shqyrtimi i dytë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 3/L- 010 për noterinë, si dhe njoftimi me vendimin e Grupit Parlamentar të SLS-së për zëvendësimin e kryetarit të këtij grupi parlamentar dhe të kryetarit të Komisionit për të Drejtat, Interesat e Komuniteteve dhe për Kthim.

Anëtarët e Kryesisë kanë marrë njoftimin e deputetit Vesimir Saviç për dalje nga Grupit Parlamentar i SLS-së, duke i kërkuar atij të deklarohet nëse do të jetë anëtar i ndonjë grupi tjetër parlamentarë, apo do të veprojë si deputet pa grup parlamentar, njoftimin e Partisë së Pavarur Liberale lidhur me vendimin për zëvendësimin e kryetarit të Grupit Parlamentar të SLS dhe kryetarit të Komisionit për Kthim dhe Komunitete, si dhe informatën e Komisionit për Punë të Brendshme dhe Siguri për vizitën e realizuar në Gjenevë dhe Bernë.

 

Nga mbledhja e Kryesisë së Kuvendit