Lajmet e fundit

Kryetari i Komisionit për Punë të Brendshme..., Isufi, priti një delegacion të Ministrisë së Mbrojtjes së Gjermanisë

, 21.07.2011




Kryetari i Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Ahmet Isufi, priti mbrëmë në një takim pune një delegacion të Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës Federale të Gjermanisë, të kryesuar nga Sekretari i Shtetit në Ministrinë e Mbrojtjes së Gjermanisë, Christian Schmidt, në të cilin merrnin pjesë edhe ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Hans Dieter Steinbach, si dhe komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Erhard Buhler.

Në këtë takim Isufi e informoi delegacionin gjerman për punën e komisionit në mbikëqyrjen institucionale të mekanizmave të sigurisë dhe për sfidat me të cilat ballafaqohet Kosova. Duke falënderuar shtetin gjerman për kontributin e deritanishëm, Isufi kërkoi vazhdimësinë e përkrahjes së Gjermanisë, posaçërisht në çështjet që janë me prioritet për Kosovën si: veriu i saj, avancimi i FSK-së dhe procesi i liberalizimit të vizave.

Delegacioni i udhëhequr nga z. Schmidt, konfirmoi mbështetjen e vazhdueshme të Gjermanisë për Kosovën si dhe thellimin e bashkëpunimit me institucionet e Republikës së Kosovës.