Lajmet e fundit

Komisioni për Zhvillim Ekonomik...priti ministrin e Punëve Publike dhe Transportit të Republikës së Shqipërisë, Sokol Olldashi

, 22.07.2011




Në takimin e sotëm të Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Tregti, Industri, Energjetikë, Transport dhe Telekomunikacion të Kuvendit të Kosovës, me ministrin e Ministrisë së Punëve Publike dhe Transportit të Republikës së Shqipërisë, Sokol Olldashi, u fol për marrëdhëniet reciproke të të dya vendeve, dhe rolin e komisioneve përkatëse në thellimin e bashkëpunimit ndërministrorë.

Fillimisht, kryetari i Komisionit, Zenun Pajaziti, falënderoi ministrin për vizitën e tij. Në vijim, Pajaziti e njoftoi ministrin për fushëveprimtarin e Komisionit. Legjislacioni, vijoi Pajaziti, është fusha të cilës i përkushtohet më së shumti Komisioni, si dhe monitorimi i zbatimit të ligjeve. Lidhur me këtë, ai tha se janë shënuar rezultate inkurajuese, për ç'gjë çmoi bashkëpunimin e efektshëm rajonal, ku me theks të veçantë foli për bashkëpunimin me Republikën e Shqipërisë.

Ministri Olldashi, ndërkaq nga ana e tij, duke shfaqur kënaqësinë për këtë takim, i njoftoi anëtarët e Komisionit për marrëveshjen e nënshkruar nga ana e tij me Ministrinë e Transportit të Republikës së Kosovë.

Ai më tej i njoftoi anëtarët e Komisionit se në Shqipëri është duke vazhduar projekti për ndërtimin e rrugëve, i cili ka për qëllim krijimin e mundësisë së komunikimi të njerëzve dhe transportin e mallrave pa pengesa. Duke iu referuar rëndësisë së Autorrugës Duurës-Morinë, dhe autorrugës e cila është duke u ndërtuar tani nga ana kosovare, ministri Olldashi, ndër të tjera tha:" Patriotizmi më i mirë që mund të tregohet tani është, heqja e pengesave të komunikimit dhe lëvizja e lirë e njerëzve dhe mallrave".

Ministri Olldashi, foli edhe për Portin e Shën Gjinit. Sa do që qeveritë mund të kenë disponim politik, tha Olldashi, për të jetësuar projektin e funksionalizimit të këtij porti, duhet krijuar interesa për komunitetin e biznesit, të cilat aktualisht është duke i ofruar Porti i Durrësit, tha ai.

Gjatë këtij takimi, anëtarët e Komisionit dhe ministri u pajtuan që synim i të dyja vendeve është integrimi në BE, andaj u vlerësua se bashkëpunimi reciprok do të përshpejtojë rrugën e integrimit.

Në fund të këtij takimi, ministri Olldashi edhe një herë shprehu kënaqësinë për takimin, dhe ftoi anëtarët e Komisionit për vizitë Ministrisë së Punëve Publike dhe Transportit, në Republikën e Shqipërisë.

Pas takimit me ministrin Olldashi, Komisioni u mblodh edhe një herë për të shqyrtuar disa projektligje.

Projektligjet të cilat u shqyrtuan dhe u miratuan në Komision janë: Projektligji për markat tregtare, Projektligji për dizajn industrial si dhe Projektligji për patenta. Pas miratimit të sotëm nga ana e Komisionit, këto projektligje do të procedohen për në mbledhje plenare për shqyrtim të dytë edhe nga ana e deputetëve.

Komisioni për Zhvillim Ekonomik...priti ministrin e Punëve Publike dhe Transportit të Republikës së  Shqipërisë, Sokol Olldashi