Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit për Punë të Jashtme

, 27.07.2011




Komisioni për Punë të Jashtme i Kuvendit të Republikës së Kosovës në mbledhjen e sotme të drejtuar nga Albin Kurti, kryetar i komisionit, ka shqyrtuar në parim Projektligji për marrëveshjet Ndërkombëtare. Komisioni, në cilësinë e komisionit funksional parlamentar për këtë projektligj, ka krijuar me këtë rast edhe grupin punues në përbërje: Hydajet Hyeni, Donika Kadaj-Bujupi dhe Skender Hyseni, për amendamentimin e Projektligjit deri në shqyrtim të dytë.

Në takimin e sotëm të Komisionit Punë të Jashtme është miratuat lista e ekspertëve për mbështetjen e punës së Komisionit, e cila do të jetë e hapur edhe për angazhim të ekspertëve të tjerë, sipas nevojave të paraqitura.

Anëtarët e Komisionit për Punë të Jashtme (KPJ) të Kuvendit të Kosovës në mbledhja e sotme kanë diskutuar edhe lidhur me situatën dhe zhvillimet aktuale në veri të Kosovës, duke u dhënë mbështetje veprimeve të Qeverisë së Kosovës në veri të vendit:

"Komisioni për Punë të Jashtme e mbështet Qeverinë e Republikës së Kosovës për vendosjen e integritetit të kufijve të Kosovës, sundimin e ligjit dhe zbatimin e Kushtetutës, si dhe funksionimin e doganave të Republikës së Kosovës edhe në pikat 1 e 31.

Komisioni për Punë të Jashtme e inkurajon Qeverinë e Republikës së Kosovës që gjithsesi ta vazhdojë luftimin e grupeve kriminale në veri, të cilat sulmuan Policinë e Kosovës duke vrarë policin Enver Zymberi dhe duke plagosur shumë të tjerë. Komisioni për Punë të Jashtme i shpreh ngushëllime familjes së policit të ndjerë Zymberi dhe ndan dhembjen me të afërmit, miqtë dhe kolegët e tij.

Komisioni për Punë të Jashtme i dënon sulmet kriminale të grupeve e strukturave të ndryshme ilegale në veri të vendit e të cilat në vazhdimësi po e rrezikojnë jetën e qytetarëve, po e cenojnë rendin dhe ligjin si dhe po e dëmtojnë ekonominë e Kosovës me kontrabandën e tyre.

Komisioni për Punë të Jashtme kundërshton përzierjen dhe ndërhyrjen e Serbisë në Republikën e Kosovës dhe thekson që vetëm reciprociteti i plotë mundëson fqinjësi të mirë dhe zbatim të drejtë të marrëveshjeve rajonale siç është ajo e CEFTA-s.

Komisioni për Punë të Jashtme i bën thirrje Bashkimit Evropian dhe faktorëve të tjerë ndërkombëtarë që t'i përkrahin dhe ndihmojnë institucionet dhe popullin e Kosovës në luftimin e informalitetit dhe kriminalitetit drejt bërjes së Kosovës sovrane, demokratike, me integritet territorial dhe sundim të ligjit për të gjithë qytetarët e Kosovës pa dallim", thuhet në deklaratën e Komisionit për Punë të Jashtme.

Nga mbledhja e Komisionit për Punë të Jashtme