Lajmet e fundit

Nga dëgjimi publik i Komisionit për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale

, 14.09.2011




Komisioni për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale i Kuvendit të Republikës së Kosovës, ka mbajtur sot dëgjim publik për Projektligjin për statusin dhe të drejtat e dëshmorëve, invalidëve, veteranëve, pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, viktimave civile dhe familjeve të tyre, gjatë të cilit, përfaqësues të organizatave të dala nga lufta e UÇK-së, kanë dhënë vërejtjet dhe sugjerimet e tyre.

Dëgjimin publik e hapi kryetari i komisionit, Fikrim Damka, ndërsa e kryesoi kryetarja e grupit punues për këtë Projektligji, Flora Brovina, e cila e cilësoi Projektligjin të një interesi dhe rëndësie të veçantë.

Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Muharrem Xhemajli, ai i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve, Xhavit Jashari, Fadil Shurdhaj nga Shoqata e Invalidëve, Xhevdet Qeriqi nga Këshilli për të Drejtat e Luftëtarëve të UÇK-së, përfaqësues të tjerë të degëve të këtyre organizatave, përfaqësuesi i Qeverisë, Faik Fazliu, si dhe ekspertë që do ta ndihmojnë Komisionin gjatë fazës së amendamentimit, identifikuan disa nga çështjet, të cilat sipas tyre duhet të përfshihen apo të hiqen nga Projektligji.

Duke dhënë vlerësime për Projektligjin, përfaqësuesi i Qeverisë, Faik Fazliu, e konsideroi atë të një rëndësie të veçantë historike, sepse, siç tha ai, nëpërmjet tij ligjësohet lufta çlirimtare, si dhe sigurohen të drejtat dhe benificionet për kategoritë e caktuara. Ai tha se përmbajtja e projektligjit është në përputhje me rekomandimet e Fondit Monetar Ndërkombëtar.
Muharrem Xhemajli nga OVLUÇK, Xhavit Jashari nga SHFDUÇK, si dhe përfaqësues të tjerë të organizatave të dala nga lufta, pasi e konsideruan atë si një ligj të vonuar, potencuan disa vërejtje për nene të caktuara të tij, me theks të veçantë për periudhën kohore që parasheh Projektligji, ndarjen e veteranëve nga kategoritë e tjera të luftës etj., duke dhënë, njëkohësisht, propozimet e tyre.

Kryetarja e grupit punues, Flora Brovina, nga ana e saj, shprehu mirëkuptimin për kërkesat e prezantuara dhe shfaqi gatishmërinë që bashkërisht të gjinden zgjidhje adekuate për çështjet e ngritura, në mënyrë që Ligji të jetë i zbatueshëm pas miratimit dhe hyrjes së tij në fuqi.

 

Nga dëgjimi publik i Komisionit për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale