Lajmet e fundit
Seancë simuluese e të rinjve të Kosovës
, 15.09.2011
Në mesditë u simulua seanca plenare nga përfaqësuesit rinorë, përkatësisht Këshilli Qendror i Veprimit Rinor. Në sallën solemne të Kuvendit të Kosovës të rinjtë debatuan në temën "Çfarë presin të rinjtë nga institucionet e Kosovës?", kryesuar nga kryetari i Këshillit Qendror të Veprimit Rinor, Mensur Morina.
Më një fjalë solemne në këtë seancë pjesëmarrësve iu drejtua kryetari i Kuvendit. Dr. Jakup Krasniqi. Ai tha se ky është viti i dytë që Kuvendi i Republikës së Kosovës, në bashkëpunim me NDI-në po e shënon Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë, andaj shfrytëzoi rastin ta falënderoj atë për këtë bashkëpunim dhe për mbështetjen e vazhdueshme që i po i bën Kuvendit.
Ai theksoi se duke iu përgjigjur thirrjes së Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, shumë vende, organizata dhe parlamente, duke përfshirë Kuvendin tonë, kanë filluar ta shënojnë këtë ditë, si simbolin e përpjekjeve për realizimin e idealeve demokratike, për afirmimin e parimeve bazë të demokracisë, të qeverisjes së mirë dhe të perspektivës globale të jetës demokratike.
Në vijim Krasniqi tha se duke i kuptuar proceset e demokratizimit të vazhdueshëm si një sfidë të përhershme, institucionet e reja të Republikës së Kosovës i kanë vënë ato në nivel të lartë të prioriteteve dhe kanë arritur rezultate të dukshme gjatë këtyre viteve të lirisë. "Një nga të arriturat më domethënëse politike që na bën të krenohemi, padyshim është vendosja e një rendi kushtetues që bazohet në parimet e lirisë, paqes, demokracisë, barazisë, respektimit të të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit", tha Krasniqi.
Tutje Krasniqi theksoi se Kuvendi i Kosovës, në ushtrim të rolit të tij përfaqësues, zbaton standarde të transparencës së punës së tij dhe po bëhet gjithnjë e më i hapur për qytetarët dhe zgjedhësit, ndërsa shtoi se Kuvendi edhe sot do të jetë i hapur për të gjithë qytetarët, për shoqërinë civile, nxënës e studentë që dëshirojnë të njihen me punën e tij, me të arriturat dhe me zhvillimin e demokracisë në Kosovë.
"Kosova është shtet i pavarur, sovran dhe demokratik. Dëshiroj të ritheksoj kërkesën tonë që Kuvendi ynë të gjejë mirëkuptimin e gjerë për të aderuar në Unionin Interparlamentar, sepse aty e ka vendin e merituar.
Sot, në sallën e deputetëve të Kosovës, po mbahet seancë e përfaqësuesve të rinisë sonë. Kjo seancë, ndonëse e simuluar, ka simbolikën, por edhe domethënien e qartë dhe mesazhet që do të sublimohen në Deklaratën e Përbashkët, që do të miratohet, besoj, në fund të saj. Unë i uroj përzemërsisht mbarëvajtje punimeve të kësaj seance.", tha Krasniqi gjatë fjalës së tij në seancën e simuluar parlamentare të përfaqësuesve të rinisë së Kosovës.
Kryetari i Këshillit Qendror të Veprimit Rinor, Mensur Morina, gjatë fjalës së tij në këtë seancë tha se të rinjtë e Kosovës janë krenar me gjeneratat që nisën kthesat historike të Kosovës të vitit 1968-1981, si dhe me gjeneratën e cila në krye me presidentin e ndjerë Ibrahim Rugova homogjenizoi shqiptarët e Kosovës për herë të parë në vitin 1989 rreth çështjes shqiptare dhe i tha jo jetës nën dhunën dhe diktatin e Millosheviqit. "Jemi krenar me gjeneratën e heroit tonë legjendar Adem Jasharin, i cili me themelimin dhe daljen në skenë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës bëri që bota demokratike të jetë e informuar mirë për luftën e drejtë çlirimtare që bën një popull i vogël dhe i robëruar. Ne të rinjtë jemi përcaktuar që këta shembuj t'i ndjekim edhe ne, me edukim, dije, kulturë demokratike, dashuri për atdheun dhe njeriun e tij. Jemi përcaktuar që të jemi krah i madh i punës së institucioneve tona." tha Morina.
Pjesëmarrësit në vijim i përshëndeti zëvendësministri i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Hajdin Abazi, i cili tha se kjo ditë është e veçantë, sepse shënon zërin e aspiratës së shumë brezave të rinisë së Kosovës, të cilët kanë bërë sakrifica të mëdha për atë që kemi sot. Ndërkaq, para rinisë së sotme qëndron sfida që këtë demokraci ta bëjë funksionale. Të rinjtë e Kosovës kanë potencial për të realizuar aspiratat e tyre dhe të mbarë popullit, sepse rinia është gjithmonë promotore e lëvizjeve dhe ndryshimeve, ajo për nga natyra është progresive. Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, tha Abazi, është e përkushtuar për të ndihmuar të rinjtë në përpjekjet e gjithmbarshme për zhvillim e progres.
Në debatin e gjerë në kuadër të të cilit morën pjesë Mensur Morina, Flamur Salihu, Selim Daku, Luan Hasanaj, Kushtrim Gashi, Vildane Maliqi, Irfan Veseli, Bujar Kimolli, Albana Restelica, Agim Terziu etj. u shtruan tema e probleme nga më të ndryshmet, me të cilat ballafaqohet rinia kosovare. Shprehej gatishmëria për ballafaqim me probleme për t'i tejkaluar ato, por njëkohësisht kërkohej që në këto ballafaqime ata të kenë edhe përkrahjen e institucioneve, që nga komunat e deri në organet më të larta shtetërore. Shprehej kërkesa që edhe të rinjve t'iu krijohen mundësi që edhe ata të jenë pjesë e zhvillimeve të gjithmbarshme në vend.
Rekomandim i seancës ishte që të ndërmerret nisma për amendamentimin e Ligjit për fuqizim të rinisë dhe pjesëmarrje në vendim marrje. Në vijim u aprovua Deklarata e përbashkët e Këshillit Qendror të Veprimit të Rinisë.
Pjesëmarrësit i shprehën mirënjohje të veçantë Kuvendit të Kosovës dhe NDI-së për ndihmën që dhanë për mbajtjen e kësaj seance dhe aktiviteteve që u zhvilluan për kremtimin e kësaj dite bashkë me të rinjtë.
Në vijim pjesëmarrësit aprovuan një deklaratë përmes së cilës konfirmojnë përkushtimin e tyre për të qenë pjesë e proceseve demokratike dhe vendimmarrëse në vend.
Në këtë deklaratë thuhet:
Këshilli Qendror i Veprimit Rinor përmes një deklarate i drejtohet Kuvendit të Republikës së Kosovës, Qeverisë së Kosovës, Presidencës së Kosovës, si dhe të gjitha institucioneve të vendit.
Deklaratë
1. Konfirmojmë përkushtimin tonë për të qenë pjesë e proceseve demokratike dhe vendimmarrëse në vendin tonë.
2. Rikonfirmojmë përkushtimin tonë për përmbushjen e kritereve për realizimin e aspiratave tona për integrime euroatlantike të vendit tonë.
3. Shprehim gatishmërinë tonë që të realizojmë obligimet që dalin nga Ligji për fuqizim dhe pjesëmarrje të Rinisë në Republikën e Kosovës.
4. Kërkojmë nga institucionet e Republikës së Kosovës përkrahje të vazhdueshme për strukturat përfaqësuese rinore në nivelin lokal dhe atë qendror
5. Rekomandojmë inicimin për ndryshimin e ligjit aktual për fuqizim dhe pjesëmarrje të Rinisë në Republikën e Kosovës me qëllim të avancimit të mëtejmë të pozitës së të rinjve.