Lajmet e fundit
Nga dëgjimi publik i Komisionit për Ekonomi...
, 16.09.2011
Në kuadër të angazhimit për nxjerrjen e një ligji sa më adekuat konform rrethanave në Kosovë dhe interesit të komunitetit të biznesit, Komisioni për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri i Kuvendit të Kosovës, mbajti sot dëgjim publik lidhur me Projektligjin për tregti me jashtë. Zenun Pajaziti, duke paraqitur qëllimin e këtij dëgjimi të organizuar nga Komisioni që ai udhëheq tha, se ky projektligj është i rëndësisë së veçantë, i cili rregullon një fushë të rëndësishme që ndikon drejtpërdrejtë në zhvillimin e vendit. Në vijim, Pajaziti inkurajoi të pranishmit që në këtë fazë të draftimit të Projektligjit të punohet sa më shumë deri në amendamentimi final të tij.
Në këtë dëgjim publik, përveç anëtarëve të Komisionit morën pjesë edhe përfaqësues të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë (MTI), Odës Ekonomike të Kosovës dhe të asaj Amerikane, UNDP-ja, përfaqësues të Komisionit të Konkurrencës dhe përfaqësues të Doganave të Kosovës.
Në emër të MTI-së, Flamur Keqa, duke folur për Projektligjin fillimisht, tha se ai është bazuar në parimin e tregtisë së lirë. Ky Projektligj, vazhdoi Keqa, zëvendëson ligjin e vitit 2002 i cili në masën më të madhe aktivitetet tregtare të Kosovës i rregullonte duke u bazuar në rregulloret e UNMIK-ut që derivonte ligji. Ai në vijim njoftoi se Projektligji që tashmë është në procedurën e miratimit është i harmonizuar me standardet e Organizatës Botërore të Tregtisë (OBT) dhe është i përshtatshëm për rrethanat në Kosovë. Ky ligj, vijoi ai, rregullon çështjet kontraktuale të Republikës së Kosovës me të gjitha shtetet që ajo ka marrëdhënie tregtare. Ndërkaq, përfaqësuesi i Doganave të Kosovë duke shprehur qëndrimin për Projektligjin tha se ai është në harmoni me Kodin e Doganave të Kosovës dhe e mbështesin atë. Gjatë debatit, edhe pjesëmarrësit tjerë u shprehën në favor të Projektligjit. Ata nuk paraqitën vërejtje substanciale duke e konsideruar atë ligj bazik për të gjitha aktivitetet tregtare.
Në fund të këtij dëgjimi publik, anëtarët e Komisionit deklaruan se gjatë fazës së ardhshme do të konsultojnë të gjithë faktorët relevant dhe grupet e interesit për amendamentimin e Projektligjit.