Lajmet e fundit
Kryeparlamentari Krasniqi priti studentët nga Universiteti Evropian i Tiranës
, 16.09.2011
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, priti sot në një takim, një grup studentësh të shkencave sociale dhe politike të Universitetit Evropian të Tiranës. Me këtë rast, kryekuvendari Krasniqi pasi u uroi mirëseardhje studentëve, i njoftoi me gjendjen e përgjithshme, në të cilën ndodhet Kosova, veçmas për gjendjen në veri të vendit. Ai shprehu bindjen se Kosova do ta kalojë edhe këtë sfidë. Krasniqi ka shprehur dëshirën e tij që bashkëpunimi ndërmjet dy vendeve të jetë edhe më i madh."Pavarësia e Kosovës ka sjellë stabilitet në rajon e me gjerë dhe mundësi për bashkëpunim, jo vetëm në arsim, por edhe në shumë fusha të tjera, të cilat duhen shfrytëzuar", është shprehur kryeparlamentari Krasniqi.
Duke e falënderuar kryeparlamentarin Krasniqi për pritjen, prof.dr.Tonin Gjura, është shprehur i kënaqur me të arriturat e Kosovës, por edhe me frymën politike në Kosovë. Gjatë takimit studentët janë inkuadruar në bisedë, duke u interesuar për çështjen në veri, për ndryshimet kushtetuese, për liberalizimin e vizave, por edhe për shumë çështje te tjera.
Delegacioni i bëri ftesë z. Krasniqi për të vizituar Universitetin Evropian të Tiranës.