Lajmet e fundit

Mbledhja e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike

, 28.09.2011




Në mbledhjen e sotme të Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike, të kryesuar nga Ali Sadriu, kryetar i komisionit, raportuan zv.kryeministri i Kosovës dhe ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, z. Sllobodan Petroviq, si dhe ministri i Ministrisë për Komunitete dhe Kthim, z. Radojica Tomiq. Temë diskutimi i këtij takimi ishte shqyrtimi i Raportit të auditimit të pasqyrave financiare të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, si dhe shqyrtimi i Raportit të auditimit të pasqyrave financiare të Ministrisë për Komunitete dhe Kthim, për vitin 2010.

Pas sqarimeve shtesë që dhanë përfaqësues të Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm para anëtarëve të komisionit lidhur me raportet e auditimit të pasqyrave financiare të këtyre dy ministrive, në pyetjen e deputetëve u përgjigjën ministrat z. Petroviq dhe z. Tomiq, me theks të veçantë rreth të gjeturave dhe rekomandimeve të cilat nuk janë adresuar nga këto dy institucione.

Me këtë rast anëtarët e Komisionit bazuar në raportin e ZAP-it ngritën disa çështje, siç u shprehën ata janë të gjetura tejet shqetësuese, me ç‘rast theksuan se në këto dy ministri ka menaxhim jo të mirë dhe jo të drejtë.

Zv.kryeministri dhe ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, z. Sllobodan Petroviq, si dhe ministri i Ministrisë për Komunitete dhe Kthim, z. Radojica Tomiq, u zotuan se do t'i bëjnë të gjitha përpjekjet për t'i adresuar të gjitha rekomandimet e dhëna nga ZAP-i.

Megjithatë, pyetjeve të anëtarëve të komisionit sa i përket raportit të auditimit për vitin 2010, nuk iu përgjigj ministri i Ministrisë për Komunitete dhe Kthim, z. Radojica Tomiq, meqë siç tha ai gjatë kësaj periudhe ai nuk ka qenë në pozitën e ministrit. Porse, ai tha se është duke u punuar për adresim të këtyre çështjeve të cilat u ngritën në komision, duke konkluduar se do të zbatohen rekomandimet e dala nga viti paraprak.

Ministri i Ministrisë për Komunitete dhe Kthim, z. Radojica Tomiq tha se në të ardhmen do të ketë raport pozitiv dhe korrekt të auditimit, meqë kjo ministri ka filluar të ndërmarr hapa konkret.

Sa i përket shqetësimeve të anëtarëve të komisionit për shfrytëzimin dhe menaxhimin e automjeteve, ministri Tomiq tha se nuk është në dijeni për shpenzimet që janë krijuar në vitin 2010, ndërsa gjatë kohës prej kur është në detyrën e ministrit, tha se tashmë administrate e ministrisë regjistron të dhënat për çdo udhëtim. Ndërkaq, shtoi se Prokuroria dhe EULEX-i janë duke vazhduar hetimet për periudhën e kaluar se çfarë ka ndodhur në këtë ministri, theksoi ministri Tomiq.

Gjatë shqyrtimit të Raportit të auditimit të pasqyrave financiare të Ministrisë për Komunitete dhe Kthim, për vitin 2010, anëtarët e komisionit theksuan se të gjeturat në këtë ministri janë shumë serioze, duke shtuar se duhet të ndërmerren hapa serioz, ndërsa para se raporti në fjalë të dërgohen në njërën nga seancat plenare, anëtarët e komisioni kërkuan nga ministri Tomiq që përmes një raporti me shkrim, me afat prej 10 ditësh, ta njoftojnë komisionin parlamentar lidhur me hapat që kanë ndërmarrë gjatë kësaj periudhe.

Në vazhdim të mbledhjes u shqyrtua edhe Raporti i auditimit të pasqyrave financiare të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, për vitin 2010, me ç‘rast pyetjeve të anëtarëve të komisionit iu përgjigjen zv.kryeministri i Kosovës dhe ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, z. Sllobodan Petroviq, si dhe përfaqësues të kësaj ministrie.

Ministri Petroviq theksoi se ministria të cilin e udhëheq ai, gjatë vitit 2010 ka pas në disponim buxhet kontigjent, i cili shfrytëzohet për themelimin e komunave të reja. Ai tha se ministria disponon grande të KE-së dhe me këto mjete janë financuar shkolla, rrugë lokale, parkingje, biblioteka, etj. Më tej ai shtoi se aktualisht kanë realizuar edhe planin aksional për propozimet dhe sugjerimet e revizorit gjeneral . "Ekzistojnë disa çështje të cilat është shumë vështirë të arrihen, për shkak të mungesë së dëshirës dhe situatës specifike të ministrisë. Në bashkëpunim me Ministrinë e Financave kemi bërë grupin punues që të punojmë në adresimin e vërejtjeve të auditorit", tha ai, duke e quajtur procesin e decentralizimi si njërin ndër sukseset më të mëdha të kësaj ministrie, gjë e cila sipas tij është vlerësuar pozitivisht nga Unioni Evropian.

Krejtësisht në fund, pasi u përgjigj në pyetjet e anëtarëve të komisionit, ministri Petroviq theksoi se është i sigurt se në të ardhmen priten rezultate edhe më të mira.

Mbledhja e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike