Lajmet e fundit
Delegacioni gjerman u takua me anëtarët e Komisionit për Punë të Brendshme dhe Siguri, si dhe të Komisionit për Zhvillim Ekonomik
, 30.09.2011
Anëtarët e Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrje të FSK-së, si dhe anëtarët e Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë,Tregti dhe Industri, kanë pritur sot një delegacion të Republikës Federale të Gjermanisë, përkatësisht të Ministrisë për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillime.
Delegacioni gjerman, i cili kryesohej nga dr. Leo Kreuz, udhëheqës i Departamentit për Bashkëpunim me Evropën Lindore, fillimisht u ka premtuar anëtarëve të komisioneve parlamentare përkrahje të mëtejmë dhe bashkëpunim.
Kryetari i Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrje të FSK-së, Ahmet Isufi, si dhe kryetari i Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë,Tregti dhe Industri, Zenun Pajaziti, e kanë informuar delegacion gjerman rreth funksionimit të komisioneve të cilët përfaqësojnë ata, duke theksuar se Komisioneve Parlamentare në Kuvendin e Kosovës u nevojitet përkrahje me ekspertë të ndryshëm të cilët do të mundësonin krijimin e një baze më të mirë ligjore, duke u bazuar në përvojën e shtetit gjerman.
Me këtë rast udhëheqësi i Departamentit për Bashkëpunim me Evropën Lindore, dr. Leo Kreuz, theksoi se Gjermania është e gatshme të mbështesë punën e Kuvendit, në mënyrë që të ketë kontroll mbi Qeverinë dhe monitorim të ligjeve. Ai tha se Kosova duhet t'i ndërtojë institucionet e saj dhe t'i forcojë ato, ndërsa shtoi se Gjermania është e angazhuar të ndihmojë Kosovën jo vetëm në infrastrukturë, por edhe në fusha të tjera.
Me këtë rast kryetari i Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë,Tregti dhe Industri, Zenun Pajaziti, tha se shteti gjerman mbetet ndër partnerët kryesor mbështetës të Kosovës, që nga paslufta. Ai tha se një ndër prioritetet e vendit është procesi i integrimeve evropiane. Megjithatë, shtoi ai, kemi nevojë për ngritje të kapaciteteve në të gjitha sferat, me theks të veçantë në sferën e zhvillimit ekonomik, të ndërtimit të shtetit, si dhe në sundimin e ligjit në përgjithësi.
"Kosova është një vend shumë i rëndësishëm për stabilitetin në rajonin e Ballkanit. Shpresojmë që shtetet e BE-së, veçanërisht Gjermania, si partner kryesor do të na mbështesë në rrugën tonë të drejtë, me ç‘rast besojmë se do të bëhemi pjesë e BE-së", theksoi Pajaziti, duke folur më tutje edhe për procesin e liberalizmit të vizave, ndërsa shprehu besimin e tij se në këtë drejtim nuk do të mungojë përkrahja e Gjermanisë.
Kryetari i Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e FSK-së, Ahmet Isufi, duke falënderuar delegacionin gjerman për bashkëpunimin që do ta kenë në të ardhmen, tha se do të ishte e mirëseardhur ndihma nga ky shtet, me theks të veçantë në trajnimin dhe ofrimin e ekspertëve në Komisionin parlamentar për siguri. "Meqë Gjermania ka përvojë në aspektin e funksionimit parlamentar , neve na nevojitet përkrahje në bazë të ekpertizës që të na mundësohet krijimi më i mirë i një baze ligjore", tha Isufi.
Duke folur për bashkëpunimin mes këtyre dy parlamenteve, temë diskutimi ishte edhe monitorimi dhe zbatimi i ligjeve në vend, ndërsa u diskutua edhe për FSK-në dhe mbikëqyrjen e këtij institucioni nga ana e Komisionit për Punë të Brendshme dhe Siguri.
Me këtë rast kryetari i komisionit parlamentar për Siguri, Ahmet Isufi, tha se si komision parlamentar mbikëqyrës i FSK-së, këtij institucioni ia kanë përgatitur bazën ligjore, në mënyrë që të mund të funksionojë ashtu siç duhet. Ai më tej ka folur edhe për bashkëpunimin që ka komisioni parlamentar me Ministrinë e Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe institucionet tjera relevante.
Tutje, kryetarët e këtyre dy komisioneve parlamentare kanë njoftuar delegacionin gjerman edhe për procesin e ndryshimit të Kushtetutës së vendit, si dhe të sistemit zgjedhor.