Lajmet e fundit
Vazhdimi i mbledhjes së Kuvendit
, 07.10.2011
Në vazhdimin e mbledhjes së Kuvendit, të kryesuar nga dr. Jakup Krasniqi, (një pjesë u kryesua nga nënkryetari Xhavit Haliti) sot u shqyrtua propozim-vendimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës lidhur me përcaktimin e përgjegjësive dhe procedurave të zbarkimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës jashtë vendit.
Me këtë rast, para deputetëve të Kuvendit foli ministri i FSK-së, Agim Çeku i cili theksoi se Kushtetuta e Kosovës e definon FSK-në si forcë kombëtare të sigurisë se mund të dërgojë pjesëtarët e saj në operacione jashtë vendit. Çeku duke u bazuar në ligjin për FSK-në tha se FSK-ja është e autorizuar të dërgojë njësi apo pjesëtarë në operacione, vetëm në raste krizash dhe në operacione të mbështetjes së paqes.
"Në vitin e ardhshëm kemi paraparë që në planin legjislativ të qeverisë të nxirret një ligj i cili definon të gjitha detajet lidhur me zbarkimin apo dërgimin e FSK-së jashtë vendit në dy lloj operacionesh. Për këtë arsye Qeveria propozon si masë të përkohshme këtë propozim - vendim, në mënyrë që të tejkalohet boshllëku ligjor dhe të nxirret një vendim i cili do t'i definojë procedurat e zbarkimit të FSK-së jashtë vendit vetëm në situata emergjente kur kërkohet reagim i menjëhershëm", tha ministri Çeku.
Ndër të tjera ministri Çeku përmendi edhe rastin e intervenimit të FSK-së (pas kërkesës së Qeverisë së Shqipërisë) në përballimin e emergjencës civile, me rastin e përmbytjeve në Shkodër, mirëpo shtoi ai, në këtë rast nuk është respektuar ligji në tërësi.
Kryetari i Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e FSK-së, Ahmet Isufi, tha se komisioni parlamentar ka analizuar këtë propozim- vendim të qeverisë dhe duhet të aprovohet me rekomandimet e komisionit.
Deputetët gjatë diskutimit të tyre theksuan se FSK-ja i ka arritur parametrat thuajse evropiane për situata emergjente dhe se ky vendim do ta plotësonte një vakum ligjor. Po ashtu u tha se FSK-ja ka kapacitete dhe do të mund të realizojë suksesshëm misionin e saj.
Duke përkrahur propozim-vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës lidhur me përcaktimin e përgjegjësive dhe procedurave të zbarkimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës jashtë vendit, deputetët vlerësuan se kjo çështje është gabim në hapa, meqë siç u shprehën disa nga deputetët e opozitës do të ishte e udhës që FSK -ja fillimisht të bëhet ushtri, e më pastaj të ndihmojë vendet tjera, ndërsa u kërkua që kjo çështje të rregullohet me ligj, me një procedurë më të përshpejtuar.
Me disa nga vërejtjet që u dhanë gjatë këtij diskutimi deputetët e Kuvendit miratuan me shumicë votash propozim-vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës lidhur me përcaktimin e përgjegjësive dhe procedurave të zbarkimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës jashtë vendit.
Deputetët po ashtu shqyrtuan edhe Raportin e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për Themelimin e Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm dhe Zyrës së Auditimit të Kosovës. Rekomandimet e Komisionit i paraqiti anëtarja e këtij komisioni, Valbona Dibra, me ç‘rast theksoi së anëtarët e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike pasi kanë mbikëqyrur zbatimin e Ligjit për Themelimin e Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm dhe Zyrës së Auditimit të Kosovës kanë identifikuar mangësi në ligj. Me këtë rast Qeverisë iu rekomandua që të përfshijë në agjendën e saj plotësim-ndryshimin e Ligjit për Themelimin e Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm dhe Zyrës së Auditimit të Kosovës.
Raporti i Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për Themelimin e Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm dhe Zyrës së Auditimit të Kosovës, u përkrah nga deputetët e Kuvendit.
Në vazhdim të seancës u shqyrtua dhe u miratua edhe Projekt-plani hapësinor 2010-2020 -Zona me interes të veçantë ekonomik "Fusha e Mihjes së Re", si dhe Propozim-Strategjia dhe Plani i Veprimit për Biodiversitetin 2011-2020, (të cilat i prezantoi ministri i Mjedisit dhe i Planifikimit Hapësinor, Dardan Gashi).
Në vazhdim të mbledhjes u shqyrtua edhe Raporti vjetor i Avokatit të Popullit, për vitin 2010.
Para deputetëve raportin e prezantoi Avokati i Popullit, Sami Kurteshi. Me këtë rast ai tha se Republika e Kosovës vazhdon të ballafaqohet me dy kundërshti që përbëjnë realitetin: kërkesa të mëdha dhe mundësi të vogla.
Kurteshi tha se sfidat më të mëdha që vazhdojnë të lëkundin themelet në Kosovë janë: shteti ligjor, problemi social dhe siguria fizike.
Tutje, Avokati i Popullit tha se qytetarët e Kosovës vazhdojnë të përballen me shkelje të ndryshme të lirive dhe të drejtave të tyre.
Ai theksoi se rastet e shkeljeve të drejtave dhe lirive të njeriut nga institucionet publike në Republikën e Kosovës as gjatë kësaj periudhe raportuese nuk kanë rezultuar me ndonjë zvogëlim të numrit dhe natyra e shkeljeve ka mbetur e njëjtë.
Raporti paraqet në mënyrën më të përafërt gjendjen reale të të drejtave të njeriut dhe në Institucionin e Avokatit të Popullit gjatë vitit 2010 janë paraqitur 1.233 raste dhe numri më i madh i tyre janë ankesa ndaj gjyqësorit në të gjitha nivelet, tha Kurteshi, duke shtuar se ankesat kanë të bëjnë me zvarritjen ose vonimin e drejtësisë.
Megjithatë, shtoi Kurteshi, institucioni të cilin e përfaqëson ai ka arritur të përmbush misionin e vet dhe të mbrojnë me sukses të drejtat e njeriut, duke vlerësuar se ka pasur një ngritje të numrit të rasteve të zgjidhura.
Raporti vjetor i Avokatit të Popullit, për vitin 2010, mori mbështetjen e deputetëve të Kuvendit.
Në vazhdim deputetët kanë shqyrtuar dhe përkrahur edhe Raportin vjetor të punës së Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, për vitin 2010. Deputetët po ashtu u njoftuan për ndarjen e mandateve të deputetëve për përfaqësimin e tyre në Komisionin për të Drejtat dhe Interesat e Komuniteteve, nga radha e komuniteteve Ashkali, Egjiptian dhe Goran.
Tutje, deputetët kanë miratuar edhe propozimin e Avokatit të Popullit për zgjedhjen e pesë zëvendësve të tij. Kandidatët e përzgjedhur janë: Basri Berisha, Isa Hasani, Bogolub Stanojeviç, Shqipe Ibraj -Mala dhe Ibrahim Asllani.