Lajmet e fundit

Nga Komisioni për Bujqësi

, 10.10.2011




Ministria e Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor është vlerësuar pozitivisht për sa i përket legjislacionit, ndërkaq u tha se duhet bërë më shumë për implementimin e ligjeve

Zbatimi i  ligjeve që kanë të bëjnë me mjedisin, ishte tema e debatit të sotëm në mbledhjen e   Komisionit për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural dhe Mjedis e Planifikim Hapësinor të   Kuvendit të Kosovës. Në këtë mbledhje, me ftesë të Komisionit mori pjesë edhe ministri i Ministrisë së Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor, Dardan Gashi.

Fillimisht, kryetari i Komisionit Nait Hasani, njoftoi së është formuar grupi punues për monitorimin e këtyre ligjeve, ndërkaq, në vijim foli për ndotjen e theksuar të ambientit. Duke i vlerësuar si “gjigantë të ndotjes”, kompanitë si “Feronikel” dhe “Shar Cem”, e degradues të tokës bujqësore, gurthyesit afër “Shpellës së Gadimes” dhe “Drinit të Bardhë” Hasani, në vijim shtroi pyetje për masat e marra nga ministria për eliminimin e këtyre dukurive të jashtë ligjshme.

Ministri Gashi, në mënyrë kronologjike bëri një pasqyrë të aktiviteteve të ministrisë, duke theksuar se  zanafilla e gjendjes së keqe e ambientit qëndron nga e kaluara. “Kemi trashëguar një mjedis të deformuar nga ish sistemi, i cili ka vepruar sipas standardeve që për BE-në kanë qenë të papranueshme”, tha ministri Gashi.

Ai në vijim tha se ministrisë i është bërë vlerësim pozitiv për sa i përket legjislacionit, ndërkaq shtoi se duhet bërë më shumë për implementimin e ligjeve. Duke iu referuar gjendjes aktuale të mjedisit dhe mbrojtjes së tij, ministri përkujtoi se inspektorati pranë kësaj ministrie ka ngritë padi ndaj “Feronikelit”, ndërkaq lidhur me hidrocentralin e “Radafcit”, tha se kemi lëshuar urdhëresë për ndërprerjen e punimeve.

Duke folur për masat e marra nga ministria, Gashi  në vijim foli  edhe për propozimin që i është bërë qeverisë për dhënien me koncesion të “Shpellës së Gadimes”. Ministri, po ashtu foli edhe për realizimin e Lejes së Integruar në mes të ministrisë dhe “Shar Cem”, për siç tha ai “Shar Cem” ka përmirësuar dukshëm standardet e ruajtjes së ambientit.

Duke folur për masat rigoroze të cilat ministria është duke marrë ndaj operatorëve që dëmtojnë ambientin, ministri Gashi njoftoi se nga 183 kërkesa  të gurthyeseve, 53 nga to janë refuzuar, ndërkaq në shqyrtim janë 13 nga to. Lidhur me këtë, ministri po ashtu njoftoi se kërkesat për eksploatimin e lumenjve nuk trajtohen nga ministria.

Në këtë takim, ministri Gashi para anëtarëve të Komisionit tha se për ruajtje të ambientit ministria ka nevojë për buxhet shtesë.

Po në këtë mbledhje, Komisioni formuloi tri kërkesa për Komisionin për ndryshim dhe amendamentim të kushtetutës së Kosovës. Kërkesat adresuar për këtë Komision ishin: deputetëve t’u sigurohet imunitet, FSK-ja të cilësohet Ushtri e Kosovës, dhe pakicat të mos trajtohen në mënyrë të privilegjuar.

Nga Komisioni për Bujqësi