Lajmet e fundit

Mbledhja e Komisionit për Arsim, Kulturë, Rini, Sport, Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media

, 13.10.2011




Mbledhja e sotme e Komisionit për Arsim, Kulturë, Rini, Sport, Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media i Kuvendit të Kosovës, e kryesuar nga Idriz Vehapi, kryetar i Komisionit, filloi me shqyrtimin  Projektligjit për të Drejtat e Autorit dhe të Drejtat e Tjera të Përafërta. Në fakt, Komisioni përfilli kërkesën e Komisionit për Legjislacion  që të ri shqyrtohen nenet 3 dhe 5 të këtij Projektligji.

Pasi u propozuan formulime të reja, anëtarët e Komisionit përkrahën procedimin e mëtejmë të këtij Projektligji në Kuvend. Komisioni përkrahu edhe procedimin e mëtejmë të Projektligjit për Statistikat Zyrtare në Republikën e Kosovës. Ndërkaq, në vijim u formua grupi punues për shqyrtimin Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.2003/24  për Sport.

Në vazhdim Komisioni përkrahu edhe Raportin me rekomandime për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për qasje në dokumentet publike. Ky Raport i këtij Komisioni gjithashtu procedohet më tej për shqyrtim në Kuvend.

Në një pjesë të mbledhjes së Komisionit mori pjesë edhe Memli Krasniqi,ministër për Rini, Kulturë dhe Sport. Me këtë rast ai njoftoi Komisionin se së shpejti do të procedohen për shqyrtim në Kuvend disa  projektligje, duke shprehur njëkohësisht gatishmërinë për të qenë pjesë e shqyrtimeve të projektligjeve nga fushëveprimtaria e kësaj ministrie, që do të shqyrtohen edhe në këtë Komision.

Mbledhja e Komisionit për Arsim, Kulturë, Rini, Sport, Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media