Lajmet e fundit
Mbledhja e Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e FSK-së
, 13.10.2011
U përkrah raporti përfundimtar i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për shtetësinë e Kosovës, raporti përfundimtar i Projektligjit për Akademinë e Kosovës për Siguri Publike, si dhe propozim-amendamentet e Projektligjit për Sistemin e Adresave
Në mbledhjen e Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës, të kryesuar nga Ahmet Isufi, kryetar i komisionit, u shqyrtua raporti përfundimtar i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për shtetësinë e Kosovës.
Në këtë takim mori pjesë kryetari i Komisionit për Legjislacion, Arben Gashi, me ç‘rast informoi anëtarët e komisionit se dy amendamente të këtij projektligji nuk janë në harmoni të legjislacionit me Kushtetutën dhe se ky projektligj nuk është mbështetur nga anëtarët e komisionit të cilin e përfaqëson ai.
Me këtë rast anëtarët e Komisionit për Punë të Brendshme dhe Siguri, pas ndryshimeve të këtyre amendamenteve përkrahën për procedim të mëtejmë raportin përfundimtar të Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për shtetësinë e Kosovës.
Anëtarët e komisionit shqyrtuan dhe miratuan edhe raportin përfundimtar të Projektligjit për Akademinë e Kosovës për Siguri Publike, si dhe propozim-amendamentet e Projektligjit për Sistemin e Adresave.
Gjatë këtij takimi anëtarët e komisionit diskutuan lidhur me raportimet e Ministrisë së Punëve të Brendshme në komisionin parlamentar për siguri. Ata u dakorduan që të kërkohet raport me shkrim nga MPB-ja lidhur me bastisjet që kanë ndodhur në këtë ministri nga misioni i EULEX-it, si dhe për gjendjen e sigurisë në vend.