Lajmet e fundit
Mbledhja e Kryesisë së Kuvendit
, 18.10.2011
Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, në mbledhjen e sotme të drejtuar nga dr. Jakup Krasniqi, kryetar i Kuvendit, në të cilën merrnin pjesë edhe shefat e grupeve parlamentare, ka përcaktuar rendin e ditës për seancën e 21 tetorit të këtij viti. Në këtë mbledhje, pas shterimit të dy pikave të rëndomta të seancave të rregullta të Kuvendit: deklarime jashtë rendit të ditës, si dhe pyetje parlamentare për punën e Qeverisë së Kosovës, për herë të dytë do të shqyrtohen: Projektligji për prodhimin, grumbullimin, përpunimin dhe tregtimin e duhanit, Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 03/L-034 për shtetësinë e Kosovës, Projektligjit për Akademinë e Kosovës për Siguri Publike,Projektligji për partneritet publiko privat, Projektligji për Statistikat Zyrtare të Republikës së Kosovës dhe Projektligji për të Drejtat e Autorit dhe të drejtat e Përafërta. Ndërkaq ,në vijim do të shqyrtohen Raporti i Komisionit për Punë të Jashtme për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Shërbimin Diplomatik të Republikës së Kosovës, Raporti i Komisionit për Arsim, Kulturë, Rini, Sport, Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për qasje në dokumente publike,Rekomandimi i Komisionit për Buxhet dhe Financa lidhur me kërkesën e Agjencisë Kosovare të Privatizimit për transfer të mjeteve në mes të programeve buxhetore, Rekomandimi i Komisionit për Buxhet dhe Financa lidhur me kërkesën e Ministrisë së Mjedisit dhe të Planifikimit Hapësinor për transfer të mjeteve në mes programeve buxhetore.
Përkitazi me kërkesën e Grupit Parlamentar të LDK-së për mbajtjen e një mbledhjeje të veçantë të Kuvendit lidhur me Raportin e Progresit të Komisionit Evropian, Kryesia vendosi që Raporti i Progresit të jetë si pikë e vetme shqyrtimi në mbledhjen e Kuvendit, që do të mbahet më 27 tetor.
Kryesia shqyrtoi edhe kërkesën lidhur me kompensimin e ish-deputetëve të Legjislaturës së Tretë. Kryesia vendosi që këtyre ish-deputetëve pagesa kalimtare t' iu bëhet deri në datën e certifikimit të deputetëve të rinj të Legjislaturës së Katërt, në pajtim me nenin 5, paragrafi 2 i Ligjit për të drejtat dhe përgjegjësitë e deputetit.