Lajmet e fundit
Mbledhja e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike
, 19.10.2011
Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike, kryesuar nga Ali Sadriu, kryetar i komisionit, në mbledhjen e sotme ka shqyrtuar Raportin e Komisionit të Pavarur për Media, lidhur me veprimet e ndërmarra në përmbushjen e rekomandimeve të Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm, njoftimin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës rreth të gjeturave të ZAP-it, lidhur me Raportin e auditimit të pasqyrave financiare për vitin 2010, si dhe Raportin e Ministrisë për Komunitete dhe Kthim, lidhur me Raportin e auditimit të pasqyrave financiare për vitin 2010.
Gjatë shqyrtimit të Raportit të Komisionit të Pavarur për Media, lidhur me veprimet e ndërmarra në përmbushjen e rekomandimeve të ZAP-it, pas shqyrtimit të grupit të punës së komisionit, anëtarët e komisionit konstatuan se është reflektuar një avancim në shtjellimin e problemeve. U tha se disa rekomandime të ZAP-it janë adresuar, disa sosh janë në proces, ndërsa për disa rekomandime tjera u kërkua që të përmbushen plotësisht nga KPM-ja.
Më tej anëtarët e komisionit shqyrtuan edhe njoftimin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës rreth të gjeturave të ZAP-it, lidhur me Raportin e auditimit të pasqyrave financiare për vitin 2010. Me këtë rast raporti i KGJK-së u vlerësua pozitivisht, meqë siç u theksua gjatë këtij takimi, janë adresuar problemet e paraqitura nga ZAP-i, ndërsa KGJK-ja ka ndërmarrë masa përkatëse.
Anëtarët e Komisionit shqyrtuan edhe Raportin e Ministrisë për Komunitete dhe Kthim, lidhur me Raportin e auditimit të pasqyrave financiare për vitin 2010. Pas njoftimit me shkrim të kësaj ministrie në komisionin parlamentar lidhur me hapat që kanë ndërmarrë gjatë kësaj periudhe, anëtarët e komisionit përmes një shkrese kthyese në MKK kërkuan që kjo ministri të përmbushë kërkesat që janë adresuar nga komisioni.
Duke përkrahur raportin për procedim në seancë plenare, u tha se komisioni edhe më tutje mbetet me shqetësimet se rekomandimet e ZAP-it nga ana e ministrisë nuk janë shpalosur dhe ka nevojë për hapa tjerë shtesë. Tutje, u kërkua nga ZAP-i që gjatë auditimit karshi ministrive tjera ta ketë prioritet Ministrinë për Komunitete dhe Kthim, si dhe ta përcjellë atë rreth përmbushjes së kërkesave të adresuara nga komisioni.
U theksua se rezultatet e kësaj ministrie do të përcillen nga komisioni parlamentar për mbikëqyrje të financave publike.
Në këtë takim ishte i pranishëm edhe Auditori Gjeneral, z. Larse Lage Oloffsson.