Lajmet e fundit
Kryekuvendari Krasniqi priti një delegacion nga Rumania
, 25.10.2011
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, priti sot një delegacion nga Rumania, i përbërë nga përfaqësues të Senatit, shoqërisë civile, Akademisë dhe mediave rumune, kryesuar nga znj. Elena Gozun, asistente e anëtarit rumun në Parlamentin Evropian, Renate Weber-Alde. Në këtë takim, i cili është organizuar nga SOROS-i dhe Qendra Rumune për politikat evropiane (CRPE), morën pjesë edhe kryetari i Komisionit për Integrime Evropiane, Lutfi Haziri, kryetari i Komisionit për Zhvillim Ekonomik, z.Goran Marinkoviq, deputetë, si dhe sekretari i përgjithshëm i Kuvendit, Ismet Krasniqi.
Pasi u uroi mirëseardhje mysafirëve nga Rumania, kryekuvendari Krasniqi i bëri një vështrim të gjerë zhvillimeve në Kosovë që nga pavarësia e këndej, duke theksuar se pavarësia e Kosovës ka sjellë stabilitet në vend dhe në rajon. Kreu i legjislativit foli gjerësisht edhe për zhvillimet aktuale në vend, si dhe për përbërjen e Kuvendit të Kosovës, në të cilin pos deputetëve nga shumica shqiptare marrin pjesë edhe deputetë nga komunitetet pakicë, të cilët kanë edhe vende të rezervuara në parlament.
Gjatë takimit delegacioni u njoftua edhe me përpjekjet që po bën Kosova për t' u integruar në Bashkimin Evropian, që është synim parësor i mbarë institucioneve dhe shoqërisë kosovare. Po kështu, u fol edhe për punën dhe rezultatet që po arrihen në fushën e legjislacionit, i cili është në pajtim me standardet e BE-së. Vëmendje e veçantë iu kushtua edhe nevojës së vendosjes së bashkëpunimit ndërparlamentar ndërmjet Kosovës dhe Rumanisë, por edhe ndërmjet institucioneve të tjera.