Lajmet e fundit

Kryekuvendari Krasniqi u takua me kreun e AKB-së dhe me përfaqësues të bizneseve

, 26.10.2011




Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, z.Jakup Krasniqi, ishte sot në një vizitë në Aleancën Kosovare të Bizneseve. Me këtë rast ai u prit nga kreu i AKB-së, Agim Shahini, kurse pastaj u mbajt një takim i përbashkët me përfaqësues të bizneseve kosovare në ambientet e këtushme. Pasi i uroi mirëseardhje kryekuvendarit Krasniqi, Agim Shahini, i bëri një vështrim të gjerë zhvillimeve aktuale në biznesin kosovar. Megjithë rezultatet e arritura,tha Agim Shahini,biznesi kosovar po ballafaqohet me shumë vështirësi, ndër të cilat vlen të theksohen ato lidhur me sigurimin e lejeve të ndërtimit, si dhe lejeve të punës. Të ballafaquar më këto vështirësi, që shpesh janë pasojë edhe e fërkimeve politike, biznesmenët heqin dorë nga ekonomia formale duke kaluar në informalitet. Këtë gjendje jo të lakmueshme po e rëndon edhe më situata në veri. Në situatën kur edhe nga bota vijnë vlerësime se Kosova është vend i përshtatshëm për biznes, është më se e nevojshme të bëhen reforma të thella drejt ndryshimit të ambientit ekonomik e biznesor . Ndër vështirësitë tjera, me të cilat ballafaqohet biznesi në Kosovë, z. Shanihi evidentoi edhe praktikën që TVSH-ja të paguhet në kufi, faktin që vetëm në pesë vende biznesmenët kosovarë mund të qarkullojnë pa viza, pastaj problemin e mungesës së energjisë elektrike, e cila përmendet edhe në Raportin e Progresit, si dhe mosmbrojtjen e duhur të prodhuesve vendorë. Daljen nga kjo gjendje vështirësuese Agim Shahini e shihte në krijimin e një legjislacioni shumë më të favorshëm për biznes.


Kryetari i Kuvendit Krasniqi duke përkujtuar se Kosova ka pasur vështirësi politike në rrugën e saj, të cilat përgjithësisht janë kaluar, tha se tani vendi ballafaqohet me vështirësi ekonomike. Politikat fiskale, tha ai, që janë vendosur nga ana e administratës së UNMIK-ut krijuan një pabarazi për bizneset. Tregtia e lirë është lehtë të zhvillohet në shtetet në zhvillim, por zbatimi i parametrave të tyre i vë në pozitë të vështirë shtetet në zhvillim. Në këtë aspekt negativisht u shpreh edhe aplikimi i kamatave të larta."Si Kuvend, që është institucion ligjvënës dhe mbikëqyrës jemi përpjekur që në fushën e legjislacionit të krijojmë një hapësirë sa më të favorshme për biznes. Mirëpo, këto përpjekje u shoqëruan me ndërhyrje në fushën e krijimit të infrastrukturës ligjore. Megjithëse kemi arritur suksese, me një politikë tjetër do të arrihej më shumë. Në përpjekjet e përditshme për të krijuar hapësira të reja për biznes , duhet të jemi shumë më këmbëngulës e energjik drejt ndryshimit të infrsatrukturës ligjore. Madje, bizneset edhe vetë mund të jenë sponzoruese të projektligjeve. Të shihet se çfarë duhet të ndryshohet edhe në ligjet tashmë të miratuara. Po kështu është e nevojshme që bizneset të identifikojnë pengesat, për të nxitur pastaj ndryshimet në këto ligje. Këto ndryshime, që do të kishin si efekt lehtësitë e bizneseve, bashkë me politikën, do të reflektoheshin pozitivisht në ndryshimin e cilësisë së jetës, duke krijuar vende pune", theksoi z. Krasniqi. Aktualisht në Kosovë është krijuar një stabilitet për një zhvillim më të hovshëm të bizneseve të vendit, por në këtë aspekt është e nevojshme të punohet edhe më shumë,në mënyrë që të rinjtë të kërkojnë perspektivën në vendlindje.


Në këtë takim u tha se një faktor i rëndësishëm që mund të kontribuojë në përmirësimin e pozitës së bizneseve është edhe monitorimi i zbatimit të ligjeve në fuqi. Investitorët kërkojnë të mbrohen me ligj. Kosova duhet të përmirësojë imazhin e shtetit ligjor. U tha se me ligje është e rregulluar çështja e ndërtimeve, por kjo vështirë po realizohet në praktikë. Bashkëbiseduesit ishin të pajtimit se është i nevojshëm një angazhim më i madh në evidencimin e pengesave që iu bëhen bizneseve në veprimtarinë e tyre. Njëkohësisht, duhet të punohet në mënyrë më energjike në identifikimin e problemeve që i shoqërojnë bizneset, sepse vetëm kështu mund të luftohen keqbërësit dhe të evitohen dobësitë, u tha në këtë takim.


Në përmbyllje të këtij takimi kreu i AKB-së, Agim Shahini, ia dhuroi një mirënjohje dr.Jakup Krasniqit, për kontribut në zhvillimet e gjithmbarshme të vendit, ndërsa kryetari i Kuvendit Krasniqi ia dhuroi Aleancës Kosovare të Bizneseve një kopje të Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës, duke theksuar se kjo deklaratë po bëhet realitet, edhe nga fakti se tashmë 85 vende e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, e pritet që edhe shumë shtete tjera të bëjnë këtë, ndërkaq pavarësinë e forcon edhe zhvillimi i bizneseve në Kosovë.

 

Kryekuvendari Krasniqi u takua  me kreun e AKB-së dhe me përfaqësues të bizneseve