Lajmet e fundit

Grupi Parlamentar i Deputetëve të Rinj u takua me zyrtarët për rini të komunave të Kosovës

, 26.10.2011




Grupi Parlamentar i Deputetëve të Rinj me qëllim të njohjes më nga afër me problemet që po përballen strukturat rinore lokale si dhe njohjes së deputetëve anëtarë të këtij grupi me zyrtarët për rini të të gjitha komunave të Kosovës, organizoi takimin e përbashkët me të gjithë këta zyrtarë duke synuar njëkohësisht edhe nxitjen e bashkëpunimit të ndërsjellët mes tyre.

Fillimisht kryetarja e këtij grupi, deputetja Ganimete Musliu, falënderoi të gjithë zyrtarët për kohën dhe mundimin e tyre për të qenë të pranishëm në këtë takim. Ajo gjithashtu prezantoi punën e grupit, fushëveprimtarinë e tij si dhe aktivitetet që deri më tani i ka ndërmarrë duke pasur si mbështetje edhe OSBE-në. Duke i quajtur këta zyrtarë si ‘ambasadorë të komunave' të sektorit rinor, ajo tha se rrjedhimisht kjo i bën këta zyrtarë që të jenë edhe dera kryesore nga ku do të adresoheshin problemet e ndryshme, në mënyrë që Grupi Parlamentar i Deputetëve të Rinj pastaj të mundohet për zgjidhjet e tyre.

Ajo i informoi të pranishmit edhe për vizitat që grupi ka në plan që t'i bëjë veç e veç në të gjitha komunat duke i takuar kështu jo vetëm zyrtarët për rini, por edhe shoqërinë civile lokale të këtyre komunave.

"Duke qenë se grupi ka ekzistuar edhe në mandatin e kaluar duke pasur në radhët e veta vetëm 9 anëtarë, tani me trefishimin e numrit të anëtarëve, ky grup mund të jetë zë më i fuqishëm për ju për adresimin e problemeve të ndryshme", ka shtuar më tutje znj. Musliu.

Nga pjesëmarrësit u shprehën shumë probleme me të cilat ata ballafaqohen çdo ditë në punën e tyre, probleme këto që kishin të bënin kryesisht me mungesën e buxhetit për sektorin e rinisë në komuna, mosbashkëpunimi me MKRS-në, moszbatimi i Ligjit për Fuqizim dhe Pjesëmarrje të Rinisë si dhe i disa prej udhëzimeve administrative të tij, mosnivelizimi i pagave ndërmjet zyrtarëve për rini të komunave të ndryshme, mbingarkimi me punë të sektorëve të tjerë për këta zyrtarë, mungesa e një kodi buxhetor etj.

Nga ana e deputetëve, anëtarë të këtij grupi, Jeton Svirca i falënderoi të gjithë pjesëmarrësit për kohën duke i informuar ata se si deputetë do të shohin të mundshme zgjidhjen e disa prej atyre problemeve që zyrtarët i parashtruan. Mundësi tjetër do të ishte edhe dërgimi i rekomandimeve në ministritë përkatëse.

Për fund, kryetarja e Grupit Parlamentar të Deputetëve të Rinj, deputetja Ganimete Musliu, pasi ishin dëgjuar të gjithë të pranishmit, i lavdëroi ata për vullnetin dhe punën e tyre pavarësisht problemeve nëpër të cilat po kalonin, për komunikimin dhe qartësimin e ideve dhe kërkesave si dhe për gatishmërinë për bashkëpunim të mëtutjeshëm me grupin.

Ky takim ishte në vazhdimësinë e takimeve që Grupi Parlamentar i Deputetëve të Rinj është duke realizuar me organizata dhe struktura që kanë lidhje me fushëveprimtarinë e këtij grupi.

Grupi Parlamentar i Deputetëve të Rinj u takua me zyrtarët për rini të komunave të Kosovës