Lajmet e fundit
Ulrike Lunacek u prit nga Komisioni për Integrime Evropiane
, 28.10.2011
Komisioni për Integrime Evropiane i prirë nga Suzan Novobërdaliu, anëtare e komisionit, priti Ulrike Lunacek, Raportuese e Parlamentit Evropian për Kosovë. Duke i uruar mirëseardhje, Novobërdaliu fillimisht e falënderoi znj. Lunacek për kontributin e deri tashëm dhe qëndrimin e saj korrekt ndaj Kosovës. Në vijim e njoftoi atë për angazhimet e Komisionit, bashkëpunimin me ministritë përkatëse si dhe sfidat që e përcjellin atë në realizimin e objektivave të parashtruara. Novobërdaliu, në emër të Komisionit foli edhe lidhur me Raportin e Progresit, me theks të veçantë për dialogun e liberalizimit të vizave, duke e vlerësuar atë si të arriturën më të madhe për qytetarët e vendit. Ajo foli edhe për sfidat e Kuvendit dhe të Komisionit, duke vënë në pah nevojën e bashkëpunimit më të ngushtë me Parlamentin Evropian. Ndërkaq, për sa i përket punës së Kuvendit të Kosovës, ajo shtroi nevojën e ngritjes së kapaciteteve profesionale të administratës së Kuvendit në fushën e legjislativit.
Ndërkaq, Lunacek nga ana e saj, duke shprehur kënaqësinë e saj për vizitën që i bën Komisionit, fillimisht vlerësoi lartë angazhimin e gruas në Politikë si pjesëmarrëse aktive të proceseve në zhvillim. Bazuar në pjesëmarrjen e grave në këtë Komision, tha ajo, mund të konstatohet një standard i arritur lartë, i krahasueshëm edhe me shtetet më të zhvilluara të BE-së, tha Lunacek. Edhe Lunacek, në vijim u përqendrua në Raportin e Progresit, për të cilin tha se paraqet të arriturat dhe stagnimet e Republikës së Kosovës, përkatësisht Qeverisë. Vëmendje të posaçme ajo i kushtoi dialogut për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës. Lidhur me këtë ajo tha: "Jam e bindur se në dhjetor do të fillojë dialogu për liberalizimin e vizave". Ajo në vijim foli edhe për angazhimet e Kuvendit, për të cilat inkurajoi anëtarët e Komisionit që të punojnë edhe më shumë në të ardhmen për arritjen e objektivave. Edhe Lunacek ishte e mendimit,(ashtu siç përshkruhet edhe në Raportin e progresit të KE-së), se Kuvendi duhet të ngritë efikasitetin e administratës. Duke iu referuar bashkëpunimit të Parlamentit Evropian( PE) me atë të Kosovës, Lunacek, tha se PE-ja, nganjëherë, nuk ju ep rëndësi të veçantë raporteve në mes të shteteve që s'janë anëtare të BE-së, por, shtoi Lunacek, se është e bindur që në të ardhmen Kuvendi i PE-së do të ketë përkrahje më të theksuar dhe bashkëpunim më të frytshëm me Kuvendin e Kosovës.
Edhe anëtarët e tjerë të Komisionit, Alma Lama, Vjosa Osmani, Blerta Deliu dhe Albert Kinolli, të angazhuar në debat ngritën çështje me interes, të cilët në fund e falënderuan Raportuesen e Parlamentit Evropian për Kosovë, dhe shprehën bindjen se zëri i saj do të jetë zëri i tyre në Parlamentin Evropian.