Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike
, 04.11.2011
Vendimi lidhur me Raportin e auditimit të pasqyrave financiare të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor për vitin 2010, do të merret në mbledhjen e radhës. Kështu u vendos në mbledhjen e sotme të Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike, kryesuar nga Ali Sadriu, kryetar i Komisionit.
Në këtë takim, në të cilin ishte prezent edhe ministri i MPH-së, Dardan Gashi me bashkëpunëtorë si dhe përfaqësuesi i Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm (ZAP), Mujë Gashi, u vlerësua se raporti i paraqitur nga ZAP-i nuk është i kompletuar me informata të mjaftueshme, mbi bazën e të cilave Komisioni do të mund të deklarohej. Lidhur me këtë, anëtarët e Komisionit u shprehën:" Ne duhet të kemë një dokument të shkruar për komentet e MPH-së lidhur me raportin. Raporti duhet të përmbajë komentet dhe rekomandimet e Ministrisë", u shprehën ata.
Pas kësaj, Komisioni miratoi Propozim Planin e Veprimit të Kuvendit të Kosovës për Integrime Evropiane për vitin 2012, me ç'rast formuloi dy rekomandime lidhur me të.