Lajmet e fundit

Mbledhja e Komisionit për Integrime Evropiane

, 04.11.2011




"Menjëherë pas publikimit të Raportit të Progresit, është mbajtur mbledhja e këshillit ministror lidhur me raportin e Komisionit Evropian. Me këtë rast kryeministri i Kosovës, ka definuar objektivat e qarta për secilën ministri, të cilat duhen adresuar gjer në shtator të vitit të ardhshëm", u shpreh fillimisht ministrja e Integrimeve Evropiane, znj. Vlora Çitaku, gjatë raportimit të saj në Komisionin për Integrime Evropiane lidhur me Raportin e Progresit për Kosovën, për vitin 2011.

Duke përmendur tri prioritetet strategjike të këtij raporti si: sundimin e ligjit, zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik, si dhe reformat në Administratën Publike, znj. Çitaku tha se vet fakti që në vitin e kaluar në periudhën e raportimit, deri në shtator të këtij viti, nuk është shënuar suksesi dhe progresi i dëshiruar, atëherë kjo flet për një Administratë Publike jo të qëndrueshme dhe jo të mjaftueshëm profesionale, e cila në masë të madhe varet nga shtytjet politike që vijnë nga kabinetet e ministrave, tha ministrja Çitaku, duke u përgjigjur në pyetjet e anëtarëve të Komisionit për Integrime Evropiane, të cilët theksuan se reformimi në Administratën Publike është larg kërkesave të BE-së.

Tutje, ministrja Çitaku theksoi se sfiduese do të mbetet zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik, duke shtuar se parametrat flasin për një zhvillim dhe një rritje ekonomike. Si një lajm të mirë për anëtarët e komisionit ajo ceku procedimin e buxhetit të ri të Kosovës, duke sqaruar se kjo është harmonizuar me FMN-në. "Është e rëndësishme për KE-në ruajtja e stabilitetit makrofinanciar të Kosovës , që buxheti i ardhshëm të jetë në përputhje me rekomandimet e FMN-së dhe për këtë ne kemi marrë premtime nga ministri i Financave, Bedri Hamza.", tha ajo

Sa i përket çështjes së riintegrimit të personave të riatdhesuar, ajo tha se menjëherë është adresuar kjo çështje, duke përmendur edhe vlerësimin e misioni vlerësues. "Pas rishikimit të bordit ekzekutiv vetëm në dy javët e fundit janë miratuar 167 kërkesa për riintegrimin e personave të riatdhesuar", tha ajo duke shtuar më tej se Ministria e Punëve të Brendshme ka ndërmarrë hapa të mënjëhershme për të adresuar sfidat që ndërlidhen me fushën e trafikimit të qenieve njerëzore.

Duke u përgjigjur në pyetjet e anëtarëve të komisionit parlamentar për integrime evropiane, sa i përket dialogut strukturor për fushën e rendit dhe ligjit, Çitaku tha se KE-ja ka rekomanduar edhe lansimin e një dialogu strukturor për fushën e rendit dhe ligjit. Megjithatë nga KE-ja ende nuk është dhënë përmbajtja e idesë për dialogun e ri strukturor. Tutje ajo ka folur edhe për çështjen e dialogut me shoqërine civile dhe opozitën, duke sqaruar se shumë shpejt pritet të bëhet konstituimi i Këshillit Kombëtar për Integrime Evropiane.

Në pyetjen se sa ka arritur Qeveria e Kosovës që ta bind BE-në se çështja e sundimit të ligjit është e lidhur me normalizimin e gjendjes në Veri, dhe se nuk mund të ketë sundim të ligjit derisa nuk ka normalizim të gjendjes në Veri, ministrja Çitaku tha se ky fakt është bërë i qartë se në pjesën veriore nuk ka demokraci, rend e ligj. "Kjo prodhon destabilitet për vendin dhe rajonin. Tashmë nuk ka hezitime nga vendet e BE-së se çështja e veriut duhet të trajtohet me prioritet. Do të ketë një agjendë më të intensifikuar përmes së cilës do të synohet dhe do të shtrihet rendi dhe ligji në vend", tha jo.

Anëtarët e komisionit theksuan se në bazë të parametrave ekzistues Kosova është larg zhvillimit ekonomik, duke kërkuar sqarime të metejmë nga ministrja Çitaku rreth adresimit të vërejtjeve të dala nga raporti i Progresit për vitin 2011. Po ashtu, gjatë këtij takimi u diskutua edhe çështja e migracionit ilegal. Me këtë rast ministrja Çitaku tha se luftimi migracionit ilegal do të jetë njëra ndër kushtet për liberalizmin e vizave. "Ne duhet t'ua bëjmë të qartë qytetarëve se armiku më i madh i liberalizimit të vizave është azili. Nuk do të aprovohet më as azili politik, as ai ekonomik", tha ajo.

Krejtësisht në fund, ministrja e Integrimeve Evropiane, duke u ndërlidhur me çështjen e reformës zgjedhore dhe kushtetuese tha se nuk është e mjaftueshme nisja e procesit, ngase KE-ja pret nga subjektet politike dhe nga Kuvendi i Kosovës që mos të zgjatet ky proces dhe të miratohet sa më shpejt nga Kuvendi.

Mbledhja e Komisionit për Integrime Evropiane