Lajmet e fundit

Dëgjim publik i Komisionit për Arsim, Kulturё, Rini, Sport, Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media

, 04.11.2011




Komisioni për Arsim, Kulturё, Rini, Sport, Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media, i kryesuar nga Idriz Vehapi, kryetar i Komisionit, mbajti sot dëgjim Publik lidhur me amendamentimin e Projektligjit për Transmetimin Publik dhe Projektligjin për Komisionin e Pavarur për Media, në të cilin ishin ftuar përfaqësues të agjensioneve dhe mediave të Kosovës.

Duke hapur këtë dëgjim, Idriz Vehapi theksoi se të dy këto projektligje tashmë kanë kaluar në leximin e parë në Kuvend, ndërsa tash gjenden në fazën e shqyrtimit dhe amendamentimit nga ky Komision, i cili ka angazhuar edhe ekspertë të lëmenjve përkatës për të kontribuar në procesin e amendamentimit.

Në debatin shumë të gjerë, tërhiqnin vëmendjen posaçërisht dy çështje: si të rregullohet me ligjin e ardhshëm financimi i RTK-së dhe si të zgjidhet çështja e pronës së RTK-së . Kur është fjala për financimin e RTK-së kishte propozime të ndryshme, të cilat kishin si pikëtakim se kjo çështje është thelbësore për ruajtjen e pavarësisë editoriale. Propozimi që financimi i RTK-së të bëhet nga buxheti i Kosovës dhe se kjo duhet të aplikohet në një afat tre vjeçar, derisa të gjendet një zgjidhje e përhershme për financim të këtij mediumi, pasohej edhe me sugjerime se kjo fazë është shumë e gjatë. Madje shtrohej dilema se sa duhet të jetë përqindja e mjeteve që do të ndahen nga buxheti i Kosovës për RTK-në. Përfaqësuesit e RTK-së, Sylejman Shaqiri dhe Mentor Shala kërkonin që Ligji për Transmetimin Publik të jetë i qartë, i zbatueshëm dhe në përputhje me standardet evropiane. Të përcaktojë ai qartë shkallën e kontributit për RTK-në dhe cilat janë pronat e këtij mediumi. Po kështu, kërkohej që të përcaktohet me ligj çështja e kanalit në gjuhën serbe. Përkitazi me këtë Komisioni u njoftua se udhëheqja e RTK-së është pajtuar me disa kërkesa që kanë të bëjnë me financimin e kanalit në gjuhën serbe, përkatësisht shkallën e kontributit për financim të këtij kanali, si dhe rreth mënyrës së zgjedhjes së drejtorit të këtij kanali.

Gjatë diskutimit u dhanë vërejtje se Projektligji nuk parasheh mekanizma të kontrollit të transmetuesit publik. Pati propozime edhe rreth kohës së reklamave që mund të transmetohen nga transmetuesi publik, duke theksuar se transmetuesit evropianë e kanë të limituar kohën e reklamave, sipas orës, ose ditës. Vëmendjen e diskutuesve e tërhoqi edhe çështja e anëtarëve të KPM-së. Ishte një propozim që anëtarëve të KPM-së t'ju vazhdojë mandati deri në zgjedhjen e anëtarëve të rinj.

Në përmbyllje të dëgjimit, Idriz Vehapi falënderoi pjesëmarrësit duke premtuar se propozimet e tyre do të shqyrtohen dhe do të merren para sysh me rastin e amendamentimit të këtij Projektligji.

Dëgjim publik i Komisionit për Arsim, Kulturё, Rini, Sport, Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media