Lajmet e fundit
Bordi i Grupit të Grave Deputete vizitoi Institutin e Onkologjisë në Prishtinë
, 09.11.2011
Bordi i Grupit të Grave Deputete (GGD), në përbërje Teuta Sahatqija,kryetare,dhe Flora Brovina,Alma Lama dhe Suzan Novoberdali, anëtare, vizituan sot Institutin e Onkologjisë në Prishtinë. Është kjo vizita e dytë që i bëhet këtij institucioni nga GGD-ja, në kuadër fushatës sensibilizuese kundër kancerit të gjirit. Gratë deputete u pritën nga ane e drejtorisë së këtij Instituti, ndërsa qëllimi i vizitës ishte shikimi i nevojave, dhe problemeve , me të cilat ballafaqohet Instituti i Onkologjisë. Vlen të theksohet se Bordi i Grupit të Grave Deputete ka zhvilluar biseda me presidenten e Kosovës Atifete Jahjaga dhe me organizata të ndryshme, duke u angazhuar që të sigurohen mjete për blerjen e manografëve mobil për nevoja të këtij institucioni. Teuta Sahaqija shfaqi shpresën se në pjesën e parë të vitit të ardhshëm do të sigurohen këto pajisje. Nga drejtoria e këtushme delegacioni i deputeteve u njoftua se kanë nevojë për 7 mijë protokole për kimioterapi. Nga udhëheqja e Institutit të Onkologjisë u tha se këtu ndihet nevoja edhe për citostatikë dhe herceptina. Ndërkaq, pritet që në Kosovë të bëhet edhe radioterapia.
Për të ndihmuar këtë institucion, gratë deputete kanë ndërmarrë nismën për t' u angazhuar në rishikimin e buxhetit për Institutin e Onkologjisë, në mënyrë që të krijohen kushte që pacientet kosovare të mos dalin jashtë vendit për mjekim.