Lajmet e fundit
Nga dëgjimi publik i Komisioni për Bujqësi ...
, 09.11.2011
Dëgjimi publik është mundësi e veçantë për përfaqësuesit e institucioneve përkatëse, organizatave joqeveritare, ekspertëve, shoqatat e ndryshme dhe grupet e interesit që të ofrojnë vërejtjet dhe rekomandimet e tyre për projektligjin. Kështu tha kryetari i Komisionit për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural dhe Mjedis e Planifikim Hapësinor i Kuvendit të Kosovës, Nait Hasani, në hapje të diskutimit gjatë dëgjimit publik organizuar nga Komisioni lidhur me Projektligjin për mbeturina.
Qëllimi ynë, vijoi Hasani, është të nxjerrim një ligj i cili do të jetë në shërbim të të gjithë qytetarëve të vendit tonë.
Përpos përfaqësuesve të disa komunave, në këtë dëgjim publik morën pjesë edhe përfaqësuesit e Ministrisë së Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH), Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR), Zyra e Rregullatorit për Ujë dhe Mbeturina (ZRRUM), Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM) dhe përfaqësues të kompanive regjionale për menaxhimin e mbeturinave. Ndonëse projektligji u përkrah në parim nga të pranishmit, ata gjatë debatit paraqitën disa vërejtje lidhur me një numër të konsiderueshëm të neneve dhe amendamenteve në këtë projektligj. Përfaqësuesit e komunave, nga ana e tyre, kërkuan që projektligji të përcaktojë qartë kompetencat komunale, veçanërisht ato që kanë të bëjnë me përcaktimin e çmimit të tarifave për shërbimet. Po ashtu, përfaqësuesit e komunave unanimisht shprehën dyshimin e tyre duke thënë se projektligji për mbeturina, nuk do të mund të implementohet në mungesë të Ligjit për ndërmarrjet publike. Lidhur me këtë, u deklaruan edhe përfaqësuesit e MMPH-së, përkatësisht, Muhamet Malsiu, drejtor i Departamentit të Mbeturinave. Sipas tij, Ministria përcakton metodologjinë e tarifave, ndërkaq komunat përcaktojnë çmimin e tyre. Përfaqësuesi i kësaj ministrie, me këtë rast vuri theksin edhe në nenin e 13 të projektligjit, për të cilin tha ai se duhet ndryshuar për shkak se sipas dispozitës të këtij neni:" Përgjegjës për implementimin e ligjit mbetet UNMIK-u, ndërkaq, përgjegjësitë rreth kësaj duhet përshkruar Ministrisë përkatëse". Opinionin e vet rreth projektligjit me këtë rast e paraqiti edhe Ahmet Tmava, udhëheqës i KPMM-së. Ai u përqendrua në dispozitën e projektligjit, e cila rregullon aktivitetet minerare. Tmava me këtë rast sqaroi se mbetjet gjatë procesit teknologjik nuk janë mbeturina, por resurse të komponentëve metalore. Lidhur me këtë, ai kërkoi që të saktësohet në projektligj se ç'është mbeturinë dhe mbetje minerale. Ndërkaq, përfaqësuesi i kompanive regjionale për menaxhimin e mbeturinave, Gazmend Bytyqi, kërkoi që licencimin e kompanive për heqjen dhe menaxhimin e mbeturinave, ta bëjë një autoritet i pavarur, i cili do t'i përgjigjej Kuvendit të Kosovës. Me këtë rast, edhe përfaqësuesi i ZRRUM-it paraqiti disa rekomandime lidhur me nenet e projektligjit.
Në fund të këtij debati, anëtarët e Komisionit u shprehën të gatshëm dhe të hapur për bashkëpunim me të gjithë. Ata deklaruan se Komisioni do t'i mirëpresë rekomandimet lidhur me këtë projektligj.