Lajmet e fundit
Mbledhja e Kuvendit të Kosovës
, 11.11.2011
Në mbledhjen e sotme të Kuvendit të Kosovës, të kryesuar nga kryekuvendari dr. Jakup Krasniqi, deputetët si rëndom ngritën një sërë çështje jashtë rendit të ditës, ndërsa në pikën: pyetje parlamentare, pyetjeve të deputetëve iu përgjigjën ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani dhe ministri i Financave, Bedri Hamza.
Gjatë mbledhjes së sotme pikë e rendit të ditës ishte edhe debati parlamentar për rastin Kiçina, sipas kërkesës së këshillit organizativ "Drejtësi për rastin Kiçina". Me këtë rast kryekuvendari Krasniqi njoftoi deputetët se pas konsultimit me shefat e grupeve parlamentare kjo pikë e rendit të ditës propozohet të shtyhet, meqë siç tha ai, lënda është në Gjykatën Kushtetuese dhe me qëllim që Kuvendi të mos interferojë në këtë lëndë. Vendimi për shtyrje të këtij debati mori mbështetje nga deputetët e Kuvendit.
Tutje, Kuvendi me shumicë votash miratoi Rekomandimet e propozuara nga Grupi Parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, lidhur me Raportin e Progresit për Kosovës, për vitin 2011, pas debatit në seancën plenare të mbajtur më 8 nëntor 2011.
Me këtë rast kryetari i Grupit Parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri, para deputetëve paraqiti rekomandimet për plotësimin e kërkesave nga raporti i Progresit 2011. Gjatë shpalosjes së këtyre rekomandimeve , Beqiri tha se duke marrë në konsideratë të gjeturat e paraqitura në raportin e Progresit për Kosovën 2011 të Komisionit Evropian dhe duke synuar përmbushjen e kritereve politike, ekonomike dhe të standardeve evropiane, si kusht kryesor për Integrim Evropian, Kuvendi i Republikës së Kosovës, vlerëson se duhet të intensifikohen reformat në të gjitha fushat e shoqërisë, sidomos reforma kushtetuese dhe zgjedhore, e cila do të mundësojë legjitimitetin e plotë të institucioneve të ardhshme të vendit.
Tutje gjatë shpalosjes së këtyre rekomandimeve ai tha se duhet të sigurohet sundimi i ligjit dhe shteti i së drejtës në plotësi dhe në tërë territorin e vendit si dhe të reformohet administrata publike dhe të rritet përgjegjësia dhe efikasiteti i saj.
"Qeveria e Kosovës të përgatit Programin Veprues në bazë të të gjeturave, fakteve dhe analizave nga Raporti i Progresit. Me këtë program, Qeveria duhet të marrë përgjegjësi të afatizuar për të siguruar sundimin e ligjit, eliminimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, politika nxitëse për zhvillimin e sektorit privat, për rritje ekonomike dhe punësim, qeverisje të përgjegjshme korporative të kompanive publike, reformim të prokurimit, kontroll të shpenzimeve publike dhe qëndrueshmëri afatgjate buxhetore, duke respektuar detyrimet ndërkombëtare. Kuvendi i Republikës së Kosovës do të trajtojë në çdo tremujor progresin në plotësimin e kërkesave nga Raporti i Progresit dhe do të adresojë përgjegjësinë ndaj institucioneve të Republikës së Kosovës", tha Beqiri gjatë prezantimit të Rekomandimeve për plotësimin e kërkesave nga Raporti i Progresit 2011.
Gjatë mbledhjes së sotme Kuvendi shqyrtoi edhe dy marrëveshje: Ratifikimin e Marrëveshjes për financim shtesë për fuqizimin e sektorit financiar dhe infrastrukturën e tregut në mes të Republikës së Kosovës dhe Shoqatës Ndërkombëtare për Zhvillim, si dhe Ratifikimin e Marrëveshjes për financimin e Projektit për bujqësi dhe zhvillim rural në mes të Republikës së Kosovës dhe Shoqatës Ndërkombëtare për Zhvillim.
Ministri i Financave, Bedri Hamza, duke prezantuar para deputetëve Ratifikimin e Marrëveshjes për financim shtesë për fuqizimin e sektorit financiar dhe infrastrukturën e tregut në mes të Republikës së Kosovës dhe Shoqatës Ndërkombëtare për Zhvillim, konsideroi se marrëveshjet janë të një rëndësie të veçantë për vendin.
"Projekti është i një rëndësie të veçantë sepse mbulon një sferë të rëndësishme të institucioneve të Kosovës . Ne kemi për synim të ndërtojmë një Bankë Qendrore funksionale, të pavarur dhe me standarde evropiane", tha ministri Hamza duke shtuar se kjo do të rrisë stabilitetin dhe zhvillimin në sektorin financiar, si dhe do të ndikojë në avancimin e infrastrukturës së këtij tregu.
Ndërsa, gjatë prezantimit të tij lidhur me Marrëveshjen për financimin e Projektit për bujqësi dhe zhvillim rural në mes të Republikës së Kosovës dhe Shoqatës Ndërkombëtare për Zhvillim, ministri Hamza tha se ky projekt ka të bëjë me ndihmën për fermerët dhe agropërpunuesit në rritjen e prodhimtarisë dhe në nxitjen e konkurrencës në nënsektorët e blegtorisë dhe të hortikulturës.
"Ky model i mbështetjes ndikon edhe në rritjen e investimeve nga sektori privat, duke pasur parasysh se projekti do të financohet deri në shkallën prej 50 për qind edhe nga përfituesi", tha mes tjerash ministri Hamza.
Pas sqarimeve plotësuese rreth këtyre dy marrëveshjeve edhe nga ana e kryetares së Komisionit për Buxhet dhe Financa, Safete Hadërgjonaj, e cila arsyetoi raportin me rekomandimet e komisionit, deputetët me shumicë votash përkrahën ratifikimin e këtyre marrëveshjeve.
Pikë tjetër e rendit të ditës e mbledhjes së sotme të Kuvendit ishte shqyrtimi i parë i Projektligjit për sigurinë e përgjithshme të produkteve, të cilin e prezantoi ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari.
Me këtë rast ministrja Kusari tha se qëllimi i këtij projektligji është që të sigurohet niveli i lartë i mbrojtjes së përdoruesve, përkatësisht konsumatorëve, si dhe të sigurohet qarkullimi i mallrave të konsumit në tregun e brendshëm. Pas prezantimit të Projektligjit për sigurinë e përgjithshme të produkteve, nga ministrja Kusari, dhe pas deklarimeve të shefave të grupeve parlamentare, seanca u ndërpre për shkak të mungesës së deputetëve, ndërsa Kuvendi do të vazhdojë punimet ditën e hënë (14 nëntor), nga ora 10:00.