Lajmet e fundit

Kryekuvendari Krasniqi priti Grupin Britanik në Unionin Ndërparlamentar

, 15.11.2011




Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, kishte sot një takim me Grupin Britanik në Unionin Ndërparlamentar, kryesuar nga Lord Bowness. Në përbërje të delegacionit ishin :Jackie Doyle-Price -AP (Partia Konservative), Lord Dykes (Partia Liberal Demokratike), Earl Of Sandwich AP, Angela Smith AP (Partia e Punës), Lord Hylton (i pavarur) dhe Agnieszka Suchenia, asistente e Sekretarisë.

Kryekuvendari Krasniqi pasi shprehu  kënaqësinë për këtë vizitë, e cila bëhet sipas ftesës se kryeparlamentarit, njoftoi deputetët nga dy dhomat e Mbretërisë së  Bashkuar me zhvillimet politike në Kosovë, me punën e Kuvendit të Kosovës, sidomos në fushën e legjislacionit, pjesëmarrjen e komuniteteve pakicë në jetën institucionale e publike në Kosovë, pastaj me vështirësitë që ka Kosova  dhe institucionet e saj në pjesën veriore të vendit për shkak të involvimit të grupeve dhe institucioneve të jashtëligjshme në atë pjesë të Kosovës, të ndihmuara nga politika e Beogradit.

Gjatë bisedës u shpreh dëshira që edhe  Parlamenti i Kosovës  të jetë pjesë e Unionit Ndërparlamentar , si vëzhgues, pjesëmarrës, në mënyrë që të krijohet mbështetje për të qenë prezent në institucionet  e Bashkimit Evropian. Në të njëjtën kohë edhe institucionet evropiane  të kenë qasje ndaj Kosovës dhe institucioneve të saj, për të siguruar kjo  mbështetje në rrugën drejt integrimit në Bashkimin Evropian.

Marrëdhëniet ndërmjet dy dhomave të Parlamentit të Mbretërisë së Bashkuar dhe të Parlamentit të Kosovës, pohoi me këtë rast kryekuvendari Krasniqi, janë shumë të mira dhe miqësore, madje pikërisht kjo vizitë bëhet në vazhdë të këtij bashkëpunimi, i cili do të vazhdojë edhe më tutje.

Kryesuesi i delegacionit Lord Bowness, duke shprehur kënaqësinë për këtë vizitë dhe pritjen e përzemërt nga mikpritësit, tha se delegacioni ka për qëllim që gjatë kësaj vizite dhe kontakteve të dëgjojë më shumë për Kosovën dhe aspiratat e saj.

“Mbretëria e Bashkuar dhe partitë politike parlamentare mbështesin dëshirat tuaja për integrime në strukturat evropiane. Kuptohet, kjo nuk është pa vështirësi, mirëpo një gjë është e sigurt  se Parlamenti i Mbretërisë së Bashkuar  dhe Qeveria e saj do të bëjnë çmos  që edhe në BE të adresojnë nevojat e Kosovës për integrim brenda strukturave evropiane. Ju sigurojmë për shtim të bashkëpunimit me Parlamentin e Kosovës dhe për këmbime më të shpeshta ndërmjet dy parlamenteve”, u shpreh ai.

Në konferencën e përbashkët për media, duke u përgjigjur në një pyetje rreth asaj se  a ka logjikë të bisedohet me Serbinë, përderisa nuk ka rezultate, z. Lord Bowness, tha se është e logjikshme të bisedohet, por të thuhet njëkohësisht edhe cila është alternativa.”Ne folëm për shpresat që ka Kosova për anëtarësim në BE, sepse për çfarëdo lloj hapash të mëtutjeshëm të Kosovës, një zgjidhje funksionale me Beogradin është e domosdoshme. Këtë do ta thosha edhe sikur të isha në Beograd, sepse kjo është mënyrë e ecjes së dy vendeve drejt integrimit evropian”, theksoi ai.

Përkitazi më këtë çështje kryekuvendari Krasniqi tha se me gjithë vështirësitë, dialogu është vlerë demokratike  dhe evropiane, mirë është që ai po zhvillohet nën mbikëqyrjen e BE-së dhe të SHBA-së. Megjithatë, më mirë është të bisedohet sesa të kërkohen rrugë të tjera, të cilat Serbia dhe Rajoni i njohin mirë.

Ndërkaq, në pyetjen rreth menaxhimit të kufijve, z. Krasniqi tha se në radhë të parë duhet të definohen kufijtë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ashtu sikurse është bërë kjo në mes Kosovës dhe Maqedonisë, pra paraprakisht duhet të njihen kufijtë dhe të verifikohen të njëjtit nga ana e kuvendeve përkatëse të Kosovës dhe Serbisë. Pasi Serbia ta njohë  kufirin me Kosovën atëherë mund të bëhet menaxhimi i përbashkët i kufijve.”Kështu, ne jemi për menaxhim të përbashkët të kufijve”, theksoi kryekuvendari.

Kryekuvendari Krasniqi priti Grupin Britanik në Unionin NdërparlamentarKryekuvendari Krasniqi priti Grupin Britanik në Unionin Ndërparlamentar