Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Komisionit për Zhvillim Ekonomik...
, 15.11.2011
Në mbledhjen e sotme të Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri, kryesuar nga Zenun Pajaziti kryetar i Komisionit, u shqyrtua Raporti i performancës së ndërmarrjeve publike për vitin 2009 dhe 2010. Në këtë takim, ishte i pranishëm edhe ministri i Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik (MZHE), Besim Beqaj.
Fillimisht, kryetari i Komisionit, Pajaziti, falënderoi ministrin për prezencën e tij dhe shtoi se, në kuadër të punës së Komisionit, takimet me ministritë relevante janë në agjendën e punës së përhershme të Komisionit. Duke folur për Raportin që ka të bëjë me ndërmarrjet publike, Pajaziti e vlerësoi atë të rëndësisë së veçantë duke shtuar: "Me këtë Raport, Komisioni mund të informohet më saktë lidhur me bilancet, të arriturat dhe stagnimet e ndërmarrjeve publike". Pajaziti tha në vazhdim se deri më tani, Komisionit asnjë herë nuk i është ofruar Raport mbi ndërmarrjet publike.
Ministri Beqaj, ndërkaq, duke paraqitur Raportin fillimisht sqaroi se ai i vitit 2009 është shtyrë për shkak të krizës politike në atë vit, ndërsa shtoi se Raporti që i është ofruar Komisionit përfshin edhe vitin 2010. Në vijim, duke iu referuar Raportit për ndërmarrjet publike, Beqaj tha se gjatë hartimit të Raportit, Ministria është fokusuar në: performancën operative, performancën financiare, qeverisjen korporative dhe perspektivën në të ardhmen. Duke folur për aktivitetet e Ministrisë ndaj ndërmarrjeve publike, ai tha se ministria ka qenë mjaft e angazhuar, përkatësisht Njësia për ndërmarrje publike pranë kësaj ministrie. Lidhur me këtë, ministri Beqaj tha:" Çështjet kryesore në të cilat kemi qenë të fokusuar janë: Përforcimi i raportit të rregullt, këshilla për drejtorët e ndërmarrjeve publike dhe sekretarët e korporatës, pjesëmarrja në takime të bordit të ndërmarrjeve publike, përgatitja dhe procedimi i pagesave të subvencioneve dhe grandeve kapitale, përpilimi dhe shpërndarja e udhëzuesve për drejtorët e ndërmarrjeve, monitorimi i bordeve dhe rishikimi i përshtatjes me kërkesat ligjore". Duke folur për ndërmarrjet e mëdha publike, siç janë PTK-ja, KEK-u dhe Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës "Adem Jashari", Beqaj nënvizoi se ato kanë treguar performancë pozitive krahasuar me vitet paraprake. Ai me këtë rast solli të dhëna tabelare mbi performancën e këtyre ndërmarrjeve. Me theks të veçantë ai foli për Korporatën Energjetike të KEK-ut. Prodhimi i qymyrit, vijoi ministri Beqaj, është rritur 1.52% kundruall vitit të kaluar, prodhimi i energjisë për 4%, inkasimi i energjisë 11%, ndërkaq zvogëlimi i humbjeve është ulur për 1.22%, tha ai. Ministri Beqaj, me këtë rast u është përgjigjur edhe pyetjeve për të cilat shprehën interesim anëtarët e Komisionit.
Pas kësaj, Komisioni unanimisht miratoi Raportin të cilin e paraqiti ministri, dhe me këtë hapi rrugë që i njëjti të shqyrtohet edhe në mbledhje plenare nga ana e deputetëve.