Lajmet e fundit

Komisioni për Punë të Jashtme priti Grupin Britanik në Unionin Ndërparlamentar

, 15.11.2011




Anëtarët e Komisionit për Punë të Jashtme kanë pritur sot delegacion
E Grupit Britanik në Unionin Ndërparlamentar, kryesuar nga Lord Bowness, në përbërje të të cilit ishin :Jackie Doyle-Price -AP (Partia Konservative), Lord Dykes (Partia Liberal Demokratike), Earl Of Sandwich AP, Angela Smith AP (Partia e Punës), Lord Hylton (i pavarur), si dhe dhe Agnieszka Suchenia, asistente e Sekretarisë.

Kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme, Albin Kurti, i cili e ka drejtuar takimin, ka falënderuar parlamentarët nga Mbretëria e Bashkuar për mbështetjen e vazhdueshme të shtetit të tyre për Kosovën. " Angazhohemi që Kosova të bëhet shtet normal dhe i zhvilluar, me sovranitet dhe integritet të plotë"; është shprehur Kurti, duk përmendur parametra të trishtë për gjendjen ekonomike dhe sociale në Kosovë: jetën në varfëri të 45 për qind të popullsisë së Kosovës dhe sidomos jetën nën kushtet e minimumit biologjik të 18 për qind të banorëve të Kosovës.

Problemin kryesor të Kosovës për sa i përket sovranitetit dhe integritetit të vendit Kurti e ka parë tek funksioni i strukturave paralele të Serbisë në veri të vendit, të nxitura dhe të financuara nga Beogradi. Duke folur për politiken e kreut aktual serb ndaj Kosovës, Kurti ka theksuar se ajo duket demokratike dhe e moderuar po të shikohet nga Bruksesli a Uashingtoni, por se ajo duket e njëjtë me atë të Millosheviqit, po të shikohet nga perspektiva e Kosovës. Ai tutje ka pohuar se Serbia trimërohet në destruktivitetin e saj ndaj Kosovës edhe për shkak të politikës jounike të BE-së ndaj vendit tonë, duke shtuar se Serbia vazhdimisht kërkon për serbët e Kosovës atë që nuk e lejon për pakicën shqiptare në Serbi.

Kryesuesi i delegacionit parlamentar nga Mbretëria e Bashkuar, Lord Bowness, ka shprehur kënaqësinë që ndodhej në Kosovës, duke u shprehur i bindur se tash e tutje takimet me parlamentarët e Kosovës do të jenë edhe më të dendura dhe më frytdhënëse. Në vazhdim ai dhe anëtarët e tjerrtë të delegacionit britanik kanështruar pyetje për qëndrimet e kolegëve kosovarë për dialogun me Serbinë, e sidomos për qëndrimet e subjektit politik të z. Kurti.

Kryetari i Komisioni për Politikë të Jashtme ndër arsyet e kundërshtimit të dialogut me Serbinë i ka përmbledhur atë se dialogu ka filluar pa kushtëzime ndaj Serbisë dhe me kushtëzime të rënda për Kosovën; se aji po krijon probleme shtesë në veri të vendit dhe për faktin që kreu serb është angazhuar hapur kundër pavarësisë së Kosovës.

Skender Hyeni gjithashtu ka mbajtur qëndrim se dialogu ka filluar me nguti dhe pa u përgatitur mirë. " Do të duhej të ishim angazhuar për zgjidhje të vështira por të qëndrueshme dhe jo siç po veprohet: për zgjidhje të shpejta dhe të paqëndrueshme, me pasoja largvajtëse, ka theksuar ai.

Nënkryetari i Komisionit, Hydajet Hyseni, ka theksuar faktin që dialogu është pranuar me gjithë dyshimin për atë se Beogradi e dëshiron vërtetë një zgjidhje të drejtë për Kosovën. Ai ka pikasur tendencat serbe që edhe nëpërmjet dialogut t'i dominojë shtetet e Ballkanit Perëndimor dhe sidomos për shkak të tendencave të dukshme për ta bosnjëzuar Kosovën. "Kosova mëton zgjidhje evropiane për pakicat" i ka garantuar Hyseni parlamentarët Britanikë.

"Evropa deri më sot nuk i ka përfillur kërkesat e palës kosovare në dialog", ka theksuar Sabri Hamiti, i cili ka shtuar se dialogu është imponuar si kompromis ndaj Serbisë pas vendimit të qartë të Gjykatë Ndërkombëtare të Drejtësisë për pavarësinë e Kosovës. Ai ka konstatuar me keqardhje se për Kosovën po bëhet dominonte agjenda e pesë vendeve të BE-së, të cilat nuk e kanë njohur Kosovën.

Duke u shprehur në favor të dialogut të filluar me Serbinë, deputeti Shaip Muja është shprehur optimist se ndërmjetësuesit e fuqishëm ndërkombëtarë të këtij dialogu: BE-ja dhe SHBA-të, nuk do të lejojnë kriza të pamenaxhuaeshme në Ballkanin Perëndimor.

Deputetja Donika Kadaj-Bujupui ka kërkuar nga parlamentarët britanikë që të nxisin investimet nga Mbretëria e Bashkuar në Kosovë, kurse Amir Ahmeti ka kërkuar nga mysafirët që të ndikojnë tek kolegët e tyre të pesë vendeve të BE-së që edhe këto vende ta njohin shtetin e pavarur të Kosovës.

Parlamentarët britanikë kanë pohuar se do të angazhohen për ardhmërinë e Kosovës dhe prosperimin e saj duke pohuar se investimet e huaj në Kosovë do të jenë shumë më të mëdha nëse rregullohet infrastruktura ligjore për këto investime.

Komisioni për Punë të Jashtme priti Grupin Britanik në Unionin Ndërparlamentar