Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit për Buxhet dhe Financa

, 16.11.2011




Komisioni për Buxhet dhe Financa i Kuvendit të Kosovës, në mbledhjen e sotme të kryesuar nga Naser Osmani, zëvendëskryetar i Komisionit, përkrahu dy projektligje dhe Propozim-Planin e Veprimit të Kuvendit të Kosovës për integrime evropiane për vitin 2012, për çështjet që lidhen me komisionin.

Pasi shqyrtoi Projektligjin për statusin dhe të drejtat e dëshmorëve, invalidëve, veteranëve, pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe familjeve të tyre, me raportin me amendamente të komisionit funksional, komisioni u dakordua që projektligji me amendamente t'i kthehet për shqyrtim të serishëm komisionit funksional, për shkak të kostos financiare që kanë disa nga amendamentet e propozuara.

Në vazhdim, komisioni përkrahu në parim Projektligjin për lojërat e fatit, të cilin, para deputetëve, e prezantoi ministri i Financave, Bedri Hamza. Ai tha se ky projektligj është hartuar sipas praktikave më të mira ndërkombëtare dhe se do të rregullojë edhe më mirë aspektet ligjore të veprimtarisë së lojërave të fatit.

Komisioni, gjithashtu, përkrahu Projektligjin për Qeverinë e Republikës së Kosovës, me raportin më amendamente të komisionit funksional, si dhe Propozim-Planin e Veprimit të Kuvendit të Kosovës për integrime evropiane, për vitin 2012, konkretisht, detyrimet që dalin për komisionin.

Nga mbledhja e Komisionit për Buxhet dhe Financa