Lajmet e fundit

Kryeparlamentari Krasniqi dënon aktin e plagosjes së dy ushtarëve të KFOR-it

, 28.11.2011




Kryetari i Kuvendit të Kosovës, dr.Jakup Krasniqi, nëpërmjet një deklarate të tij dënon sulmin e strukturave kriminale në veri të Kosovës, gjatë të cilit u plagosën dy ushtarë të KFOR-it. Në deklaratën ne zotit Krasniqi thuhet :

Plagosja e sotme me armë zjarri e dy ushtarëve të KFOR-it në veri të Kosovës dëshmon për praninë aktive të bandave kriminale atje dhe për rrezikun që ato paraqesin. Ky akt i shëmtuar është shprehje e guximit që kanë marrë kriminelët e hazdisur për të sfiduar edhe me armë forcat ndërkombëtare të paqes dhe të sigurisë në Kosovë.

Dimensioni i këtyre veprimeve bëhet akoma më i rrezikshëm për faktin që grupet kriminale mbështeten dhe inkurajohen nga Beogradi zyrtar, i cili nëpërmjet të tyre ka arritur të instrumentalizojë edhe një pjesë të qytetarëve serbë në Kosovë. Plumbat e sotëm qëlluan vetëm disa ditë pas deklaratës së ministrit të Punëve të Brendshme të Serbisë për ripushtimin e Kosovës, madje pa përjashtuar edhe luftën e armatosur. Kjo politikë intervencioniste serbe nuk është vetëm përzierje në punët e brendshme të shtetit tjetër, por kërcënim i drejtpërdrejtë i integritetit territorial dhe sovranitetit të vendit tonë.

Kjo lojë me zjarrin, por edhe durimi e toleranca duhet të kenë një kufi.

Duke qenë Beogradi zyrtar burimi i gjithë problemeve në veri të Kosovës, thërras bashkësinë ndërkombëtare që të ushtrojë ndaj tij ndikimin e saj, për të shpërndarë strukturat ilegale dhe kriminale atje, të financuara dhe të mbështetura prej tij, me qëllim të kthimit të rendit dhe sigurimit të jetës së qetë e të lirë për qytetarët.

Shpreh keqardhjen time të thellë për plagosjen e ushtarëve, të cilët kësaj radhe vijnë nga Gjermania mike, ku nga nesër do të jem zyrtarisht në vizitë miqësore.

Kërkoj nga organet kompetente të ndjekjes që të identifikojnë dhe t'i kapin e sjellin para drejtësisë autorët e krimit.

Ushtarëve të plagosur u dëshiroj shërim të shpejtë dhe kthim në misionin fisnik të ruajtjes ë paqes e të sigurisë në Kosovë.

 

Kryeparlamentari Krasniqi dënon aktin e plagosjes së dy ushtarëve të KFOR-it