Lajmet e fundit

Nga vizita e kryeparlamentarit Krasniqi në Gjermani

, 30.11.2011




Kryetari i Kuvendit të Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, në krye të një delegacioni të Kuvendit, në përbërje të të cilit janë edhe Xhavit Haliti, nënkryetar i Kuvendit, Vjosa Osmani, anëtare e Komisionit për Integrime Evropiane, Donika Kadaj-Bujupi, anëtare e Komisionit për Punë të Jashtme, Bilall Sherifi, këshilltar i lartë politik i kryetarit të Kuvendit të Kosovës dhe Skender Reçica, këshilltar për protokoll dhe marrëdhënie ndërkombëtare, ka filluar sot vizitën zyrtare në Gjermani.

Në takimin e tij të parë, kryetari Krasniqi u prit nga kryetari i Bundestagut gjerman, z. Norbert Lammert, të cilin e falënderoi për mbështetjen e vazhdueshme të Gjermanisë për Kosovën. Në vazhdim, kryetari Krasniqi i bëri një rezyme situatës së përgjithshme në Kosovë e të arriturave të saj që nga shpallja e pavarësisë, si dhe foli për njohjet e deritashme, të cilat, sipas tij, kanë forcuar subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës.

"Mosnjohja nga pesë shtete të BE-së, ndërkaq, po krijon problem të veçantë për aderimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare dhe pjesëmarrjen e saj në shumë nisma rajonale e ndërkombëtare", theksoi kryeparlamentari Krasniqi, duke kërkuar përkrahjen e Gjermanisë për shtrirjen e ndikimit të saj te këto pesë shtete dhe shtete të tjera për njohjen sa më të shpejtë të Republikës së Kosovës.
Gjatë takimit, kryetari Krasniqi një theks të veçantë i vuri situatës së fundit në veri të Kosovës, me ç'rast theksoi se për vendosjen e rendit e të ligjit në këtë pjesë të vendit, po bëhen veprime të koordinuara ndërmjet KFOR-it, EULEX-it dhe qeverisë. Më tej, ai tha se në veri janë duke funksionuar grupe të organizuara kriminale, të cilat, sipas tij, fatkeqësisht po mbështeten nga politika e Beogradit dhe s'fundi, nëpërmjet barrikadave po e vështirësojnë jetën e qytetarëve të asaj pjese.

Përkitazi me këtë, kryeparlamentari falënderoi angazhimin e ushtarëve gjermanë të KFOR-it, të cilët, sipas tij, janë të përkushtuar për zgjidhjen e problemit në veri.

Sa i përket liberalizimit të vizave, kryetari Krasniqi shprehu vendosmërinë e Kosovës për përmbushjen e të gjithave kritereve në kuadër të këtij procesi dhe e njoftoi mikpritësin gjerman për arritjet e deritanishme, duke kërkuar njëkohësisht mbështetje edhe më të fuqishme nga Berlini zyrtar.

Duke folur për marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë, kryetari Krasniqi përmendi ndihmën që Gjermania i ka dhënë Kosovës përgjatë viteve, duke veçuar njohjen e shpejtë të pavarësisë, kontributin në fushën e sigurisë përmes prezencës së saj në Kosovë, mbështetjen e madhe ekonomike etj. Krasniqi u ndal edhe në bashkëpunimin parlamentar, me ç'rast i bëri një falënderim të posaçëm kryetarit Lammert për raportet e shkëlqyera ndërmjet Kuvendit të Kosovës dhe Bundestagut gjerman, duke veçuar përkrahjen e madhe të këtij të fundit dhe të qeverisë gjermane për Kuvendin e Kosovës.

Kryetari i Bundestagut gjerman, theksoi se Gjermania nuk ka lëkundje në mbështetjen e saj për Kosovën dhe këtë e bazoi në raportet e shkëlqyera ndërmjet dy shteteve. Ai u interesua hollësisht për situatën e përgjithshme në Kosovë, veçanërisht në veri, dhe shprehu gatishmërinë për të qenë edhe më tutje në mbështetje të Kosovës.

Z. Lamert u zotua se Gjermania do të vazhdojë edhe më tutje lobimin te pesë shtetet anëtare të BE-së të cilat nuk e kanë njohur Kosovën, në mënyrë që ta bëjnë këtë. Sa i përket bisedimeve me Serbinë, u vlerësua se ato duhet të vazhdojnë, në suaza të dy shteteve të pavarura e sovrane.

Në fund, kryetari Krasniqi e ftoi kryetarin e Bundestagut gjerman për vizitë në Kosovë.

 

Nga vizita e kryeparlamentarit Krasniqi në GjermaniNga vizita e kryeparlamentarit Krasniqi në Gjermani