Lajmet e fundit

Komisioni për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e FSK-së, u takua me një delegacion të gjashtë shteteve të rajonit

, 05.12.2011




Anëtarët e Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës, kryesuar nga Ahmet Isufi, kryetar i komisionit, u takuan gjatë ditës së premte me një delegacion të gjashtë shteteve të rajonit: Shqipëria, Bosnja, Kroacia Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia.

Gjatë këtij takimi u diskutua lidhur me zhvillimet politike në vend dhe për gjendjen e sigurisë, me theks të veçantë për zhvillimet në Veri të Kosovës.

Kryetari i komisionit parlamentar për siguri, Ahmet Isufi njoftoi delegacionin shkurtimisht rreth përbërjes dhe funksionimit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, si dhe rreth çështjes së sigurisë në vend.
Duke folur për zhvillimet e fundit në veriun e Kosovës, Isufi sqaroi para të pranishmëve se Komisioni për Siguri ka dhënë rekomandimet e tij për Ministrinë e Punëve të Brendshme lidhur me masat që duhet të ndërmirren, në mënyrë që të ketë rend, ligj dhe zbatim të Kushtetutës së Kosovës. Ndërsa, nënkryetari i komisionit, Rexhep Selimi tha se Kosova është e sfiduar dhe e atakuar nga grupe kriminale ilegale të Serbisë në Veriun e Kosovës. Duke theksuar se Serbia po vazhdon të mbështesë grupe ilegale terroriste në Veriun e Kosovës të cilat shkaktojnë probleme për shtetin e Kosovës, ai përmendi edhe sulmet ndaj KFOR-it dhe Policisë së Kosovës. " Jemi në një gjendje të tensionuar në këtë pjesë dhe në bashkëpunim me Bashkësinë Ndërkombëtare në vend, po përpiqemi ta zgjidhim këtë problem. Kosova ka një sfidë të rëndë përpara dhe ky problem nuk është vetëm problem i shqiptarëve, por i të gjitha komuniteteve, përfshirë edhe serbët në këtë pjesë", tha Selimi.

Anëtarët e Komisionit duke u përgjigjur në pyetjen e delegacionit lidhur me daljen nga kjo gjendje, theksuan se zgjidhja e problemit në këtë pjesë është e mundshme, me një partneritet me bashkësinë ndërkombëtare në vend, si dhe në partneritet edhe me shtetet tjera të rajonit. U tha se zgjidhja është kërkuar që të bëhet në bazë të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Anëtarët e Komisionit u përgjigjen në pyetjet e përfaqësuesve të gjashtë shteteve të rajonit edhe rreth bisedimeve teknike të Kosovës me Serbinë, si dhe për raportet e Kosovës me shtetet fqinje.

Kryetari i Komisionit për Siguri, Ahmet Isufi tha se bisedimet teknike me Serbinë po kalojnë në implikime politike, andaj duhet t'i bëhet e qartë Serbisë se nuk mund të tolerohet në këtë mënyrë dhe nuk mund ta ketë të garantuar statusin e kandidatit të BE-së.

Sa i përket marrëdhënieve të Kosovës me Malin e Zi, pyetje që u shtrua nga përfaqësues të Malit të Zi, kryetari i komisionit parlamentar për siguri, Ahmeti Isufi theksoi se mes këtyre dy vendeve ekzistojnë marrëdhënie të mira, ekziston marrëveshje ratifikuar e cila garanton bashkëpunim mes të dyja vendeve në çështjen e riatdhesimit si dhe në ruajtjen e stabilitetit sa i përket lëvizjes së lirë të qytetarëve. "Ka pasur hapa pozitiv në këtë drejtim, ndërsa çështja e pronave dhe e kufirit është çështje e cila zgjidhet në bashkëpunim mes dy vendeve, pa ndonjë tension", tha me këtë rast Isufi duke shtuar se marrëdhënie të mira ekzistojnë edhe me të gjitha shtetet tjera të rajonit, përveç Serbisë.

Komisioni për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e FSK-së, u takua me një delegacion të gjashtë shteteve të rajonit