Lajmet e fundit
Kryeparlamentari Krasniqi priti një grup studentësh të fakulteteve nga Universiteti i Prishtinës dhe Gjilanit
, 06.12.2011
Një grup studentësh nga fakultetet e edukimit të universitetit të Prishtinës dhe të Gjilanit, të prirë nga dekani Hasan Muja dhe profesorët, Et'hem Çeku e Begzat Baliu, u pritën sot nga kryetari i Kuvendit të Kosovës, dr. Jakup Krasniqi. Kryeparlamentari Krasniqi, me këtë rast i njoftoi ata për punën e Kuvendit, sfidat dhe të arriturat e tij në prag të dhjetëvjeçarit të punës. "Kemi shënuar të arritura në përmbushjen e obligimeve tona, ashtu siç është e paraparë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, e cila mandatin e Kuvendit e përcakton të jetë institucion përfaqësues, ligjbërës dhe mbikëqyrës të ekzekutivit", tha kreu i Kuvendit. Po ashtu, puna e Kuvendit bazohet në Rregulloren e Punës së Kuvendit, e cila e përcakton qartë mënyrën dhe procedurat e punës së Kuvendit, për të gjitha çështjet që bien në fushëveprimtarinë e tij, tha Krasniqi. Ai, tutje i njoftoi studentët për procedurat e miratimit të ligjeve, për mënyrën dhe rolin mbikëqyrës të Kuvendit kundruall ekzekutivit, komisionet, dhe shumë çështje të tjera me interes për studentët. Kreu i Kuvendit, me theks të veçantë foli për procedurat e miratimit të ligjeve. Lidhur me këtë, ai i njoftoi studentët duke thënë:" Objektivi ynë është integrimi në BE, andaj edhe ligjet që miraton Kuvendi i Kosoves, janë në harmoni me ato të BE-së. Për këtë, Kuvendi ka formuar Komision të posaçëm (Komisioni për Integrime Evropiane) i cili vlerëson harmonizimin e ligjeve". Studentët, ndërkaq duke falënderuar kryetarin për pritjen e ngrohtë që u bëri, shtruan një varg pyetjesh për punën e legjislativit të vendit, për të cilat morën përgjigje nga kreu i Kuvendit.