Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Kuvendit
, 07.12.2011
Bazuar në kërkesën e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje (VV), në mbledhjen e sotme të Kuvendit të Kosovës deputetët zhvilluan debat parlamentar lidhur me masat e reciprocitetit me Serbinë dhe shqyrtuan disa projektligje në leximin e parë.
Në këtë mbledhje të kryesuar nga kryetari i Kuvendit, dr. Jakup Krasniqi, (një pjesë të së cilës e udhëhoqi Enis Kervan, nënkryetar i Kuvendit), arsyeshmërinë e kësaj interpelance para deputetëve e paraqiti përfaqësuesi i Lëvizjes VV, Visar Ymeri, i cili në fillim të paraqitjes së tij tha se prej vitit 1999 e deri më sot, Serbia zyrtarisht në tregun kosovarë ka përfituar mbi 2 miliardë e 100 milionë euro. Në vijim, ai foli edhe për dëmet që Serbia i ka shkaktuar Kosovës gjatë luftës, duke iu referuar shifrave statistikore. "Shteti serb në luftën e fundit në Kosovë vrau rreth 14.000 njerëz. Afër 90% prej tyre civilë të paarmatosur, të pambrojtur, kryesisht fëmijë, gra dhe burra të moshuar. Rreth 1.800 persona të rrëmbyer janë ende të pagjetur. Pjesa dërrmuese e tyre gjenden në Serbi. Afër 20.000 femra janë të dhunuara gjatë luftës, ndërkohë që afërsisht 800 mijë persona janë deportuar dhunshëm. Ushtria dhe policia serbe i shkatërroi apo dëmtoi rreth 120.000 shtëpi. Aspekt i veçantë i luftës ishte shkatërrimi i ekonomisë së Kosovës" tha me këtë rast Ymeri. Pas kësaj, ai duke folur për vendimin e Qeverisë lidhur me masat e reciprocitetit ndaj mallrave serbe tha se gjatë periudhës sa u bllokuan mallrat e Serbisë (40 ditë), prodhuesit vendor filluan të marrin frymë lirshëm. "Sipas raporteve të tyre, shitja e prodhimeve vendore ishte rritur për 10%, 20%, e disa edhe në deri 50% që në ditët e para të bllokimit të produkteve serbe", tha Ymeri, duke theksuar se, prodhuesit vendorë filluan ta rrisnin edhe punësimin si pasojë e hapësirës së re të krijuar në treg. Në fund të paraqitjes së tij, Ymeri kërkoi që masat e reciprocitetit të kthehen ndaj produkteve serbe, për ç'gjë kërkoi edhe mbështetjen e grupeve të tjera parlamentare.
Në interpelancën e saj, zv.kryeministrja dhe ministrja e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë (MTI), Mimoza Kusari-Lila, nga ana e saj, duke iu drejtuar deputetëve fillimisht i falënderoi ata për iniciativën, dhe shtoi se debatet janë dobiprurëse për hapat që do të marrë Qeveria, përkatësisht ministria që ajo udhëheqë. Lidhur me çështjen e ngritur, ministrja Lila tha se vendimi për masat e reciprocitetit ka qenë një prej vendimeve më të rëndësishme të Qeverisë. Për këtë vendim, ministrja Lila tha :"Pozicioni i Kosovës para vendosjes së masave ka qenë shumë më i dobët, e i cili pas vendosjes së masave është përmirësuar dukshëm". Duke folur për efektet ekonomike të vendimit të Qeverisë, ajo solli shifra mbi importin e mallrave serbe e që ishte dukshëm më i vogël se importi i realizuar para vendosjes së masave. Ndërkaq, për sa i përket efektit politik të vendimit të Qeverisë, Lila u shpreh:" Qëllimi ynë ka qenë njohja e vulave doganore nga ana e Serbisë, dhe kjo është arritur". Për më shumë, ajo po ashtu vuri në spikamë edhe rendësin tjetër të vendimit të Qeverisë duke thënë se heqja e masave të reciprocitetit ka bërë që Kosova të shihet nga faktori ndërkombëtar partner serioz në implementimin e marrëveshjeve të arritura. Ajo, në vijim foli edhe për qasjen e Qeverisë ndaj ekonomisë, për të cilën tha se është qasje e ekonomisë së lirë të tregut bazuar në marrëveshjen e CEFT-as. Ndërkaq, hodhi poshtë pohimet e opozitës se për qarkullimin e mallrave kosovare dhe plasimin e tyre në tregjet tjera, është i nevojshëm dokumentacioni nga komunat serbe.
Pas fjalës së zv.kryeministres Lila, opinionet e veta në emër të grupeve parlamentare i paraqitën shefat e grupeve.
Përfaqësuesi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, tha se vendimin e Qeverisë lidhur me masat e reciprocitetit e shohin si pikë kthesë për të kthyer kredibilitetin e humbur. Grabovci, po ashtu tha:" Grupi Parlamentar i PDK-së, u jep mbështetje të fuqishme vendimeve të Qeverisë kundruall besimit të qytetarëve dhe mbështetjes ndërkombëtare".
Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri, tha se LDK-ja ka mirëpritur masat e vendosura nga ana e Qeverisë si kundërpërgjigje. Beqiri, po ashtu shtoi se gjatë kohës sa masat ishin në fuqi, në Kosovë nuk u ndie mungesa e artikujve të cilët më parë importoheshin nga Serbia. Ai në vijim vlerësoi se po të mbeteshin masat në fuqi, ekonomia serbe do të dëmtohej shumë.
Qëndrim kritik ndaj heqjes së masave të reciprocitetit, paraqiti edhe përfaqësuesi i AAK-së, Burim Ramadani. Duke e gjykuar Qeverinë për vendimet e saja lidhur me këtë çështje, Ramadani shtroi pyetjen: Qeveria, ka gabuar kur i ka vendosur masat, apo, kur i ka hequr ato.
Në vijim të mbledhjes, edhe përfaqësuesi i AKR-së, Muhamet Mustafa, vlerësoi se masat e reciprocitetit duhet të jene permanente, dhe deklaroi mbështetjen për mocionin e paraqitur nga Lëvizja Vetëvendosje. Pas deklarimit që paraqitën shefat e grupeve parlamentare, vijoi debati në të cilin e morën fjalën edhe deputetët: Glauk Konjufca (VV), Berat Buzhala (PDK), Ganimete Musliu (PDK), Donika Kada- Bujupi (AAK), Florin Krasniqi (VV), Bekim Haxhiu (PDK) dhe deputet të tjerë. Pas debatit, Visar Ymeri, përfaqësues i VV, paraqiti mocionin e formuluar në tri pika, me këtë përmbajtje:
1. Qeveria t'i marrë masat e reciprocitetit të plotë politik, ekonomik e tregtar ndaj Serbisë.
2. Ministria e Tregtisë dhe Industrisë ta nxisë dhe udhëheq bashkëpunimin me prodhuesit vendorë dhe ndërmarrjet tregtare për gjetjen e zëvendësimeve për produktet e importuara nga Serbia.
3. Qeveria t'i forcojë të gjithë mekanizmat shtetëror për ta siguruar zbatimin e përpiktë të masave të reciprocitetit ndaj Serbisë.
Më pas, mocioni u nxor në votim. Deputetët me shumicë votash e mbështetën atë.
Pas kësaj, mbledhja vazhdoi me shqyrtimin e projektligjeve. Fillimisht në leximin e parë deputetët shqyrtuan Projektligjin për marrëdhëniet e detyrimeve, arsyeshmërin e të cilit para deputetëve në emër të Qeverisë e paraqiti zv.kryeministri dhe ministri i Ministrisë së Drejtësisë, Hajredin Kuçi. Deputetët me shumicë votash miratuan në parim këtë projektligj. Po ashtu, në këtë mbledhje në parim u miratuan edhe projektligjet: Projektligji për lojërat e fatit, Projektligji për pensionet e pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës, Projektligji për regjistrimin dhe evidencën e të papunësuarve dhe të punëkërkuesve dhe Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për shërbime sociale dhe familjare.
Në këtë mbledhje, deputetët si rëndom ngritën një varg çështjesh jashtë rendit të ditës, ndërkaq pyetjeve parlamentare u janë përgjigjur anëtarët e kabinetit qeveritar: Ferid Agani, Mahir Yagcilar, Besim Beqaj, Bedri Hamza, Nenad Rashiq dhe Ramë Buja.
Pas miratimit të këtyre projektligjeve, Kuvendi ndërpreu punimet për të vazhduar nesër në orën 10:00.