Lajmet e fundit
Vazhdimi i mbledhjes plenare të Kuvendit
, 08.12.2011
Kuvendi i Republikës së Kosovës, në vazhdimin e sotëm të mbledhjes plenare, të udhëhequr nga kryetari dr. Jakup Krasniqi (një pjesë të mbledhjes e udhëhoqi nënkryetari Enis Kervan), ka miratuar tri projektligje, dy raporte dhe një propozim.
Deputetët e Kuvendit me shumicë votash miratuan në shqyrtim të dytë Projektligjin për sistemin e adresave, Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të komuniteteve dhe të pjesëtarëve të tyre në Republikën e Kosovës, si dhe Projektligjin për statusin dhe të drejtat e dëshmorëve, të invalidëve, të veteranëve, të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe të familjeve të tyre.
Në vijim deputetët shqyrtuan dhe përkrahën edhe rekomandimin e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike lidhur me auditimin e pasqyrave financiare të Ministrisë për Komunitete dhe Kthim, për vitin 2010, për të cilën çështje foli edhe ministri për Komunitete dhe Kthim, Radojica Tomiq.
Me këtë rast kryetari i Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike, Ali Sadriu, duke paraqitur disa nga rekomandimet e komisionit, tha se të gjeturat në këtë ministri janë serioze dhe se komisioni parlamentar për financa publike ka vlerësuar se gjendja në MKK është shqetësuese, e cila nuk ka shpalosur rekomandimet e ZAP-it. Duke përmendur disa nga të gjeturat e Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm në këtë ministri, ai tha se çështja e faturimeve dhe dokumentacioneve përkatëse të kësaj ministrie janë pa dëshmi përkatëse,
"Meqë të gjeturat në këtë ministri janë serioze, komisioni ka vlerësuar se duhet kërkuar nga ZAP-i që të bëjë auditim të perfomancës në këtë ministri dhe MKK-ja duhet jetë prioritet për ZAP-in, kundruall ministrive tjera", tha Sadriu.
Tutje, deputetët shqyrtuan edhe Raportin e Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrje të Forcës së Sigurisë së Kosovës, për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për Ripranim. Me këtë rast u tha se Ligji për Ripranim nuk është në nivel të mirë i zbatueshëm, ndërkaq rekomandimet e komisionit parlamentar për siguri, i prezantoi anëtari i Komisionit për Punë të Brendshme dhe Siguri, Fatmir Xhelili, të cilat rekomandime morën mbështetjen e deputetëve të Kuvendit.
Shqyrtimit i Raportit të Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri, lidhur me përformancën e ndërmarrjeve publike, për vitin 2010, ngjalli debat tek deputetët e Kuvendit, të cilët kritikuan raportin e Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik.
Deputetët theksuan se duhet të ketë një përformancë më transparente për ndërmarrjet publike dhe se ky raport nuk ka informata të bollshme financiare për të pasur një vlerësim më të qartë rreth përfomancës së këtyre ndërmarrjeve.
Tutje u theksua se duhet të bëhen publike edhe pagat e bordeve, të menaxhmentit, si dhe pagat mesatare të punonjësve në ndërmarrjet publike. Ministri i Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj, në fjalën e tij para deputetëve të Kuvendit, tha se ka rënie të theksuar të pagave në këto ndërmarrje.
Me këtë rast Beqaj duke u përgjigjur në kritikat e deputetëve për raportin, tha se ka një përfomancë më të mirë të ndërmarrjeve publike dhe se humbjet teknike dhe ato komerciale janë zvogëluar.
Sa i përket çështjes së KEK-ut, Beqaj tha se ka një reduktim të subvencionimit për shkak të përfomancës më të mirë dhe se ka rritje të prodhimit të qymyrit dhe energjisë, si dhe të inkasimit.
Më tej ministri Beqaj vlerësoi se duhet të kërkohet llogaridhënie nga ndërmarrjet publike , në mënyrë që ato të raportojnë më mirë dhe të rrisnin shërbimet e tyre ndaj qytetarëve të Kosovës.
Krejtësisht në fund deputetët shqyrtuan edhe Propozim-vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës lidhur me emërimin e anëtarëve në Bordin e Pavarur për Miniera dhe Minerale. Me votim të fshehtë deputetët emëruan Ramiz Krasniqin, anëtar i Bordit të Pavarur për Miniera dhe Minerale.