Lajmet e fundit

Komisioni për Buxhet dhe Financa reagon ndaj kritikave të KDI-së

, 15.12.2011




Të martën, më datë 13 dhjetor 2011, Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka prezantuar raportin mujor nga monitorimi i punës së Kuvendit të Republikës së Kosovës për muajin nëntor. Ky raport shpreh shqetësimet në përgjithësi për miratimin e Rregullores së Punës së Komisionit për Buxhet dhe Financa të Kuvendit të Republikës së Kosovës, dhe në veçanti kritikon nenin e kësaj rregulloreje që rregullon pjesëmarrjen e publikut dhe përfaqësuesve të medieve në takimet e Komisionit dhe në takimet e grupeve punuese.
Komisioni për Buxhet dhe Financa mirëpret iniciativën e KDI-së për monitorimin e punës së komisioneve të Kuvendit të Republikës së Kosovës duke shprehur këto komente lidhur me vërejtjet e KDI-së në raportin për muajin nëntor 2011:
Sa i përket shqetësimit të përgjithshëm të KDI-së se Komisioni për Buxhet dhe Financa është ngutur të nxjerrë rregullore, Komisioni pyet se në çfarë mënyre KDI-ja ka ardhur deri tek një përfundim i tillë. Fakti se Rregullorja e Punës së Kuvendit është aktualisht në rishqyrtim, si dhe fakti se rishqyrtimi do të sjellë ndryshime substanciale në Rregulloren e re të Punës së Kuvendit, nuk e ndalojnë Komisionin për Buxhet dhe Financa që të miratojë Rregulloren e Punës së Komisionit. Përkundrazi, neni 62 pika 2 e Rregullores së tanishme i mundëson secilit komision të përpilojë dhe miratojë Rregullore të Brendshme për të rregulluar punën e tyre. Neni 24, pika 3 e Rregullores së Komisionit për Buxhet dhe Financa përcakton dispozitat në rastet kur ka ndryshime - madje edhe ndryshime substanciale - në Rregulloren e Punës së Kuvendit duke e obliguar Komisionin për Buxhet dhe Financa të caktojë një grup punues që do të propozojë ndryshimet e nevojshme në Rregulloren e Komisionit për Buxhet dhe Financa. Nëse Rregullorja e re e Kuvendit nuk e përcakton mundësinë që komisionet parlamentare të kenë Rregullore të Brendshme, Komisioni për Buxhet dhe Financa do të vendosë që të pezullojë Rregulloren e Punës së Komisionit për Buxhet dhe Financa. Për Komisionin për Buxhet dhe Financa, nuk është e qartë pse miratimi i Rregullores së Punës së Komisionit ka qenë i ngutshëm. Kjo paqartësi mbetet posaçërisht ngase KDI-ja, në raportin monitorues për muajin nëntor, nuk jep asnjë arsye për këtë konstatim.
Lidhur me pjesëmarrjen e publikut dhe përfaqësuesve të medieve, Rregullorja e Punës së Komisionit për Buxhet dhe Financa është plotësisht në përputhje me Rregulloren e Punës së Kuvendit, përkatësisht nenin 65, pika 1. Fakti se përfaqësuesit, sipas nenit 14 të Rregullores së Punës së Komisionit për Buxhet dhe Financa, duhet të regjistrohen paraprakisht, nuk do të thotë se publiku apo përfaqësuesit e medieve nuk lejohen të marrin pjesë. Përkundrazi, ky nen mundëson një menaxhim dhe organizim më të mirë të takimeve të Komisionit për Buxhet dhe Financa, në mënyrë që pjesëmarrja e publikut dhe përfaqësuesve të medieve të sigurohet dhe nëse është nevoja, takimi i Komisionit të organizohet në një sallë më të madhe takimesh. Në të njëjtën kohë, neni 14 i rregullores së Punës së Komisionit për Buxhet dhe Financa i mundëson Komisionit të kryejë detyrat e tij - sipas përcaktimit në nenin 69 pika 5 dhe nenin 88 të Rregullores së Punës së Kuvendit - në mënyrë të organizuar. Për Komisionin për Buxhet dhe Financa nuk është e qartë se ku ka vërejtur KDI-ja trajtim diskriminues dhe kundërshtim me praktikat parlamentare, kur dihet se edhe pjesëmarrësit në seancë plenare duhet të regjistrohen paraprakisht për pjesëmarrje në seancë plenare. Po ashtu, KDI-ja nuk ka dhënë asnjë arsye se si është ardhur deri te ky konstatim.
Pjesëmarrja e publikut dhe përfaqësuesve të medieve në grupet punuese të komisioneve nuk përcaktohet me Rregulloren e Punës së Kuvendit. Shqyrtimi i kërkesave të organizatave buxhetore është bërë në kuadër të grupeve punuese si përgatitje për takimin e Komisionit për Buxhet dhe Financa, në të cilin do të merren vendimet për rekomandimet se si të votohen kërkesat e organizatave buxhetore. Po ashtu, këto rekomandime do të publikohen në raportin që Komisioni për Buxhet dhe Financa e procedon për shqyrtim dhe aprovim në seancë plenare. Nuk është e qartë pse KDI-ja ka dyshime lidhur me alokimet e fondeve për investime kapitale, kur dihet se grupet punuese vetëm përgatisin punën e Komisionit për Buxhet dhe Financa dhe nuk marrin asnjë vendim.
Për dallim nga konstatimet e KDI-së, Komisioni për Buxhet dhe Financa vlerëson se Rregullorja e Brendshme e Komisionit për Buxhet dhe Financa nuk e cenon transparencën e punës së Komisionit, por e përmirëson atë. Që nga miratimi i Rregullores së Punës së Komisionit për Buxhet dhe Financa, publikimi i saj në ueb-faqen e Kuvendit (shih linkun më poshtë) publiku dhe përfaqësuesit e medieve kanë qasje në rregullat kryesore që rregullojnë punën e Komisionit, bashkëpunimin brenda Komisionit dhe bashkëpunimin e Komisionit me akterët tjerë. Pra, mund të themi se, pas miratimit të Rregullores së Punës së Komisionit për Buxhet dhe Financa, puna e Komisionit është më mirë e planifikuar dhe më transparente.

Rregullorja e Punës së Komisionit për Buxhet dhe Financa mund të gjendet në web-faqen e Kuvendit, në linkun e mëposhtëm:
http://www.assemblykosova.org/common/docs/Rregullore_e_punes_e_Komisionit_per_Buxhet_dhe_Financa.pdf
http://www.assemblykosova.org/common/docs/Poslovnik_%20o_%20radu_Odbora_za_bud_et_i_finansije.pdf
http://www.assemblykosova.org/common/docs/Rules_of_Procedure_of_the_Committee_for_Budget_and_Finance.pdf