Lajmet e fundit
Nga Komisioni për Bujqësi ...
, 19.12.2011
Ministrat Bedri Hamza e Blerand Stavileci, në mbledhjen e sotme të Komisionit për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis dhe Planifikim Hapësinor folën për akcizën mbi verërat. Në këtë mbledhje, kryesuar nga Nait Hasani, kryetar i Komisionit, ishin të pranishëm edhe përfaqësuesit e verëtarëve të Kosovës.
Ministri i Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave (MEF), Hamza, fillimisht foli për rëndësinë që ka sektori i ndërmarrjeve të agrobiznesit për ekonominë kosovare. Ai po ashtu foli edhe për masat që ka marrë ministria për thjeshtësimin e procedurave të biznesit për fermerët e kësaj veprimtarie. Për sa i përket akcizës mbi verërat, ministri Hamza tha se ajo nuk mund të hiqet. Kosova, vijoi ai, është nënshkruese e marrëveshjeve ndërkombëtare, andaj jemi të obliguar t'i zbatojmë ato. Sipas kësaj marrëveshje, vazhdoi ministri Hamza, nuk është e mundur të heqim akcizën vetëm për një produkt ushqimor. Andaj, mënyra më e mirë është subvencionimi i prodhuesve me vlerë më të lartë se akciza të cilën aktualisht e paguajnë prodhuesit e verës, tha ministri Hamza. Edhe ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR), Stavileci, ishte i mendimit se forma më e mirë është forma e subvencionimit, e cila duhet të ketë vlerën më të lartë se akciza që paguajnë fermerët. Ministri Stavileci, edhe me këtë rast, u shpreh në favor të përkrahjes së mëtutjeshme të verëtarëve dhe vreshtarëve, nga të cilët kërkoi përkushtimin e tyre për cilësinë prodhuese dhe në marketing për prodhimin që realizojnë.
Përfaqësuesit e verëtarëve ndërkaq, Shani Mullabazi nga "Stone Castle" dhe Halim Haxhijaha, nga shoqata e verëtarëve, falënderuan ministrat për përkrahje. Ata premtuan se do të shtojnë kapacitetet prodhuese, ndërkaq kërkuan mbështetje të vazhdueshme institucionale në mënyrë që të jenë të barabartë me konkurrentët e tjerë të rajonit.