Lajmet e fundit
Po meremetohet aneksi i Kuvendit të Kosovës
, 22.12.2011
Janë në përfundim e sipër punimet për meremetimin aneksit të Kuvendit të Kosovës, prej rreth 1500 metra katrorë, në hapësirat e të cilit do të vendosen Kryesia, disa komisione parlamentare dhe Biblioteka, për të krijuar, kësisoj, kushte më të mira pune për deputet. Nga fakti që hyrja në këtë aneks të Kuvendit e deputetëve dhe e nëpunësve të Kuvendit, që do t'i kenë zyrat atje, kalon përmes këndit për gazetarë, i bën jofunksionale ambientet aktuale për përfaqësuesit e mediave. Për këtë qëllim, Administrata e Kuvendit ka vendosur që Bibliotekën e Kuvendit ta transferojë në këtë pjesë të aneksit, kurse ambientet e ish-Bibliotekës t'i funksionalizojë për përfaqësuesit e mediave, të akredituar në Kuvend.
Në një pjesë e ballkonit të sallës së seancave plenare do të mund të vendosen xhiruesit dhe fotoreporterët me pajisjet e tyre të punës, kurse pjesa tjetër e ballkonit do të jetë e rezervuar për përfaqësuesit e shoqërisë civile.
Administrata e Kuvendit planifikon që, deri në fillimin e sesionit pranveror të Kuvendit të Kosovës, ta përfundojë meremetimin e aneksit, si dhe adaptimet e nevojshme në ndërtesën e Kuvendit.
Kësisoj, do të krijohen kushte më të mira pune, jo vetëm për deputetët, por edhe për përfaqësuesit e mediave të akredituar në Kuvend, si dhe për përfaqësuesit e shoqërisë civile.