Lajmet e fundit
Në përfundim të një viti të suksesshëm pune, kryeparlamentari Krasniqi takoi punëtorët e administratës së Kuvendit
, 29.12.2011
Me rastin e përfundimit të punës së Kuvendit të Republikës së Kosovës për vitin 2011 dhe në prag të ndërrimit të motmoteve, kryetari dr. Jakup Krasniqi, takoi sot punëtorët e administratës së Kuvendit.
Me këtë rast, kryetari Krasniqi bëri një rezyme të punës së Kuvendit gjatë vitit që po e lëmë pas, duke e vlerësuar atë shumë produktive, përkundër faktit që viti 2011 nuk ishte një vit i plotë pune.
"Përmbylljen e vitit me 65 ligje të miratuara, me 25 ligje në procedurë të miratimit, me dy ligje që presin për të hyrë në procedurat e punës së dhe me dy ligje të kthyera, e vlerësoj një punë të mirë. Jemi të vetëdijshëm që ky vend ka nevojë për punë më të madhe, por kemi bërë aq sa kemi pasur mundësi, konform kapaciteteve tona politike, administrative e profesionale", theksoi kryetari Krasniqi.
Kreu i Kuvendit i falënderoi punëtorët e administratës për punën e tyre gjatë këtij viti dhe kërkoi, njëkohësisht, angazhim edhe më të madh gjatë vitit 2012.
Në këtë rast, për punëtorët e administratës u organizua një koktej.