Lajmet e fundit

Kryeparlamentari Krasniqi priti kryetarin e Parlamentit të Maqedonisë, Trajko Veljanoski

, 10.01.2012




Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, i shoqëruar nga nënkryetarët Xhavit Haliti, Sabri Hamiti e Enis Kervan, ambasadori i Kosovës në Shkup, Skënder Durmishi e bashkëpunëtorë të tjerë, priti sot në takim kryetarin e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, z. Trajko Veljanoski dhe delegacionin parlamentar që e shoqëronte, me të cilin bisedoi për bashkëpunimin ndërmjet dy shteteve e veçanërisht ndërmjet dy parlamenteve, si dhe mundësisë së thellimit të mëtejmë të këtij bashkëpunimi.

Duke i uruar mirëseardhje kryetarit të Parlamentit të Maqedonisë, kryetari Krasniqi dha një pasqyrë të punës brenda Kuvendit të Kosovës dhe foli për bashkëpunimin që ai ka me parlamentet e vendeve të rajonit dhe më gjerë. Në këtë kontekst, kryeparlamentari Krasniqi çmoi bashkëpunimin me Parlamentin e Maqedonisë dhe shtoi se kjo vizitë do t'i japë përmbajtje dhe impulse të reja bashkëpunimit të mëtejmë. Kryetari Krasniqi shtroi nevojën e bashkëpunimit edhe ndërmjet administratave të të dy parlamenteve.
"Ne, si kuvende, e kemi obligim ta shtojmë bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve tona, t'i nxisim të dy ekzekutivet tona që t'i shtojnë marrëdhëniet në të gjitha fushat: ekonomike, arsimore, shëndetësore etj., për ta ndryshuar dhe lehtësuar kualitetin e jetës së qytetarëve të vendeve tona", theksoi kryeparlamentari Krasniqi.

Në vazhdim, kryetari i Kuvendit të Kosovës u ndal edhe në fqinjësinë e mirë që Kosova kultivon me të gjithë fqinjët e saj, me përjashtim të Serbisë, e cila vazhdon ta mos e pranojë realitetin në Kosovë.

Duke folur për perspektivën evropiane të rajonit, kryeparlamentari Krasniqi theksoi se kjo shtron nevojën e një bashkëpunimi edhe më të madh ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe të përqafimit të vlerave evropiane. Ai foli, gjithashtu, edhe për pengesat që Kosova po has në rrugën e saj të integrimit, si pasojë e mosnjohjes nga të gjitha vendet e Bashkimit Evropian.

Duke e falënderuar kryetarin Krasniqi për pritjen dhe duke shprehur kënaqësinë që gjendet në Kosovë, kryeparlamentari maqedonas, Trajko Veljanoski, i cili në këtë vizitë shoqërohej nga anëtarë të Grupit Parlamentar për bashkëpunim me Kosovën në Parlamentin e Maqedonisë, i vlerësoi lart marrëdhëniet dhe bashkëpunimin ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë dhe shfaqi gatishmërinë që të vë në dispozicion të Kuvendit të Kosovës dhe institucioneve të tjera, përvojën parlamentare të Maqedonisë.

Ai shkoqiti dy vendime të rëndësishme të Parlamentit të Maqedonisë në vitet e fundit, në raport me Kosovën, si: miratimin e Deklaratës në të cilën rekomandohej njohja e pavarësisë së Kosovë nga Qeveria e Maqedonisë dhe ratifikimin e Marrëveshjes për demarkacionin e kufirit.

"Vizita ime sot i jep një shtytje pozitive bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve. Mund të shprehim kënaqësinë që nuk kemi asnjë çështje të hapur ndërmjet dy shteteve. Në Kuvendin e Maqedonisë ratifikohen shumë marrëveshje dhe kontrata ndërmjet Maqedonisë dhe Kosovës. Dhe, kjo është një shenjë për një bashkëpunim intensiv ndërmjet dy vendeve tona", u shpreh kryeparlamentari maqedonas, duke shprehur kënaqësinë që ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë ka një këmbim shumë të mirë tregtar, por, shtroi nevojën e rritjes së mëtejme të tij.

Kryeparlamentari Krasniqi priti kryetarin e Parlamentit të Maqedonisë, Trajko VeljanoskiKryeparlamentari Krasniqi priti kryetarin e Parlamentit të Maqedonisë, Trajko VeljanoskiKryeparlamentari Krasniqi priti kryetarin e Parlamentit të Maqedonisë, Trajko VeljanoskiKryeparlamentari Krasniqi priti kryetarin e Parlamentit të Maqedonisë, Trajko Veljanoski