Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Komisionit për Bujqësi...
, 13.01.2012
Kryesuar nga Nait Hasani, Komisioni për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural dhe Mjedis e Planifikim Hapësinor në mbledhjen e sotme miratoi amendamentet e Projektligjit për Hoçën e Madhe të formuluara gjatë mbledhjes së djeshme, ndërkaq, vijoi së shqyrtuari Projektligjin për Qendrën Historike të Prizrenit.
Gjatë shqyrtimit të Projektligjit për Qendrën Historike të Prizrenit, në mbledhje ishte i pranishëm edhe ministri i Ministrisë së Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor (MAPH), Dardan Gashi. Me këtë rast, anëtarët e Komisionit shqyrtuan rekomandimet e shumë OJQ-ve, iniciativave qytetare, amendamentet e propozuara nga Qeveria dhe ato të deputetit Hydajet Hyseni (PDK). Lidhur me këtë, anëtarët e Komisionit në vijim të mbledhjes arritën të harmonizojnë qëndrimet dhe të formulojnë disa amendamente të cilat do të shqyrtohen gjatë javës së ardhme në mbledhjen e radhës së Komisionit.