Lajmet e fundit
Deklaratë e kryekuvendarit Krasniqi lidhur me Protestën e paralajmëruar nga Vetëvendosja
, 13.01.2012
Me rastin e paralajmërimit të protestës së organizuar nga Vetëvendosja, në vendkalimet kufitare me Serbinë, më 14 janar 2012, kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, jep këtë
Deklaratë
Në mbështetje të së drejtës për protesta të qytetarëve dhe organizimeve të tyre, u bëj thirrje drejtuesve të Vetëvendosjes që mos t' i kalojnë të drejtat kushtetuese e ligjore që janë të sanksionuara në Kushtetutën e Republikës së Kosovës.
Partitë, si subjekte në institucionin më të lartë përfaqësues, ligjvënës dhe mbikëqyrës të jetës publike, shoqërore e institucionale , janë të obliguara të kontribuojnë dhe ndihmojnë në sundimin e rendit e të ligjit, në sigurinë dhe stabilitetin politik të shtetit tonë të ri.
Vendimi i Kuvendit të Republikës së Kosovës lidhur me reciprocitetin kërkohet të zbatohet nga Qeveria e Kosovës dhe jo nga ndonjë subjekt partiak.
Kuvendi nuk e ka ngarkuar Vetëvendosjen dhe as ndonjë subjekt tjetër partiak për të zbatuar vendimin për reciprocitet.
Ju bëj thirrje qytetarëve të Republikës së Kosovës që të shfrytëzojnë të drejtën qytetare për të protestuar dinjitetshëm, për të ndihmuar në funksionimin e jetës institucionale, për ruajtjen e sigurisë e stabilitetit të shtetit tonë të ri.
Shpreh besimin dhe bindjen time se, si organizatorët e Protestës, po ashtu edhe Qeveria dhe organet e rendit, do të kontribuojnë që Protesta e paraparë, të zhvillohet në mënyrë paqësore.