Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Komisionit për Punë të Jashtme
, 16.01.2012
Komisioni për Punë të Jashtme i Kuvendit të Republikës së Kosovës në mbledhjen e tij të parë në sesionin pranveror të Kuvendit të Kosovës, të drejtuar nga Albin Kurti, kryetar i komisionit, ka shqyrtuar dhe më pas edhe e ka miratuar Raportin e punës së Komisionit për vitin 2011.
Komisioni gjatë kësaj periudhe ka mbajtur gjithsej 23 mbledhje. Si komision funksional ka shqyrtuar dhe e ka amendamentuar Projektligjin për marrëveshjet ndërkombëtare. E ka mbikëqyrur Ligjin nr. 03/L-044 për Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Shërbimin Diplomatik të Republikës së Kosovës dhe Ligji nr. 03/L-207 për plotësimin dhe ndryshimin e Ligji nr. 03/L-044 për Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Shërbimin Diplomatik të Republikës së Kosovës, duke përgatitur edhe raportet përkatëse për nivelin e zbatimit të këtyre ligjeve.
Në të njëjtën kohë para komisionit kanë raportuar: zv.kryeministrja e Kosovës Edita Tahiri (një herë ) , lidhur bisedimet me Serbinë dhe Ministri i Jashtëm, Enver Hoxhaj (tri Herë), për çështje të ndryshme nga kompetenca e kësaj ministrie, duke e theksuar në raport se qeveritarët në fjalë jo çdo herë i janë përgjigjur ftesës së Komisionit.
Në raport përmenden edhe rekomandimet dhe propozimet e ndryshme të Komisionit për Qeverinë, për Ministrinë e punëve të jashtme dhe për vetë Kuvendin, si dhe takimet e realizuara me parlamentarë të vendeve të ndryshme.
Duke i pasur parasysh aktivitetet e parapara të komisionit, është vlerësuar se Komisioni ka arritur në masën më të madhe ta përmbushë Planin e punës për vitin 2011. Prandaj njëzëri edhe e ka miratuar këtë raport.