Lajmet e fundit
Fjala e kryetarit të Kuvendit Krasniqi më rastin e Jubileut të 100- vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë
, 17.01.2012
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, në krye të një delegacioni parlamentar, mori sot pjesë në hapjen e aktiviteteve në kuadër të veprimtarive për 100- vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, mbajtur në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë. Me këtë rast, kryekuvendari Krasniqi iu drejtua pjesëmarrësve me këtë fjalë rasti:"
E nderuara kryetare e Kuvendit të Shqipërisë, zonja Topalli.
I nderuari kryeministër Berisha,
Të nderuar deputet e deputete,
Shqiptarë kudo që jeni,
Sapo përfunduam me kremtet e fundvitit që iku, me ato të fillimvitit që nisi dhe as që mund të merret me mend një uverturë më e favorshme për festën jubilare - 100-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, të shtetit shqiptar.
Përvjetorët e këtillë, aq më tepër kur shtrihen në përmasë shekulli, padyshim që në sfondin e vet përmbajnë shkaqe, shkase e motive për kujtesë e kujtime, për reflekse e reflektime, krahas mbushjes së shpirtit me ndjenjë atdhedashurie.
Është në logjikën e gjërave që njeriu i kësobotshëm, ditardhjen e tij në jetë ta shënojë duke kujtuar prindërit, pastaj fëmijët, e nipërit, e mbesat. Ndryshe nga ligjësitë biologjike për rendin e brezave njerëzorë, që njohin për atdhe - shtet të parë shtëpinë, pastaj lagjen e fshatin a qytetin; ligjësitë shoqërore sikur përmbysin këtë rend: bijtë e bijat bëjnë ritin e lindjes së shtetit - atdhe.
Togfjalëshi atdhe-shtet ose shtet-atdhe sintetizon një lindje të vështirë e të përgjakshme, një lindje të pavdekshme që stampon qenësinë, si shenjë ekzistence, sa në mbamendje, po aq edhe në dokument. Një lindje që përthekon në vete Rilindje e Përlindje kombëtare.
Nuk më duket rastësi që, pikërisht në historikun e dokumenteve më të vjetra të shkruara të shqipes, zë vend Formula e Pagëzimit: "Unte paghesont premenit atit et birit et spertit sente" (Unë të pagëzoj në emër të Atit, të Birit e të Shpirtit të Shenjt). Duke u përvijuar nëpër manifestin e parë politik shqiptar, "Shqipëria ç'ka qenë, ç'është e ç'do të bëhet" të Sami Frashërit, nëpër organin e parë politik - Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, ajo vjen e riformulohet pikërisht më 28 Nëntor të vitit 1912: "... Shqipëria me sot ... bëhet më vehte, e lirë e mosvarme".
Ky pagëzim mëvetësie e mosvarshmërie, kjo shpallje, ky kumt, që lë me një anë plagët, gjymtimet e vurratat, u bë streha fizike, shpirtërore e mendore e gjithë shqiptarëve anekënd rruzullit për një shekull të tërë. Prandaj ata, kudo në Evropë, në Australi e Amerikë, si në një kor madhështor do të këndojnë: Mbahu nëno, mos kij frikë!
Formula e Pagëzimit, si për të përligjur ritin e moçëm, erdhi e u shfaq sërish pa u mbushur shekulli: "Ne, udhëheqësit e popullit, të zgjedhur në mënyrë demokratike, nëpërmjet kësaj Deklarate shpallim Kosovën shtet të pavarur dhe sovran". Kjo formulë do të shqiptohet pikërisht, më 17 Shkurt 2008.
Derisa të parën e shqipton i dituri Pal Engjëlli, bashkëpunëtori i ngushtë i Gjergj Kastriotit, më 1462; të dytën, i mençuri plak i Vlorës, Ismail Qemali, me bashkëpunëtor trimin, Isa Boletini; të tretën, kuvendarët e Kosovës, dalë nga supet e dalzotësit, Adem Jashari.
Në të tri rastet, si në vetë mrekullinë, shfaqet atributi i simbiozës: mençuri-trimëri. Vepra që rezulton si amalgamë e mendjes, shpirtit dhe zemrës nuk ka se si të mos marrë dorë nga aureola hyjnore.
E thashë më herët se përvjetorët e këtillë janë doemos edhe bazamente përsiatjeje e reflektimi.
Në momente kyçe dilemash, Noli mendjendritur, siç është e ditur, shtronte konsulencën hipotetike: Ç'do të bënte Skënderbeu në një rrethanë të këtillë?
A nuk është koha dhe vendi që, duke marrë shkas nga ky përvjetor i lavdishëm dhe nga kjo plejadë njerëzish të famshëm, burrështetasit, liderët dhe udhëheqësit e sotëm shqiptarë t'i thërrasin mendjes, rezonancës së arsyes, harmonisë së veprimit? Sipas përvojës së të parëve, them se kjo është traseja unike e ardhmërisë. Ndjesa, pendesa dhe mirëkuptimi le të na bëhen udhërrëfyes për tejkalimin e vetvetes, të egos dhe të veseve!
Pa pretenduar të bëj historinë e ngjarjes madhore, zaten ngjarjet e mëdha të historisë së një populli e bëjnë vetiu historinë, nuk kam sesi të mos them se 28 Nëntori i 1912-ës, kapërcen atë që quhet kthesë, atë që quhet nyje. Në jetën e shqiptarëve ajo është epoka e epokave, pika që ndan mileniumet.
Që andej e këtej e tutje, mund të ndërrojnë rendet shoqërore, politike e ekonomike; mund të ndërrojnë formacionet e administrimit, ritmet e zhvillimit, çalimet dhe hovëzimet kulturore; po Shqipëria, shteti i shqiptarëve, atdheu i shqiptarëve të shuar e të
përjetësuar, të gjallë e të palindur do të rrojë për jetë të jetëve.
Në këtë përvjetor jubilar, prandaj, s'kam arsye dhe s'dua ta fsheh për asnjë çast, për asnjë rrethanë ndjenjën e krenarisë, mbushjen emocionale, kënaqësinë njerëzore. E kundërta do të më dukej pozë e çnatyruar.
Për jetë të jetëve Shqipëria "...më vehte, e lirë dhe e mosvarme"!
Faleminderit!"