Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut...
, 18.01.2012
Për sa i përket kostos financiare, Projektligji për persona te verbër dhe pjesërisht të verbër, do t'mund të implementohet që nga janari i vitit 2013. Kështu tha zv. ministri i Ministrisë së Financave Ramadan Avdiu, në mbledhjen e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione, të kryesuar nga Suzan Novobërdaliu, kryetare. Me këtë qëndrim të Ministrisë, u pajtuan edhe anëtarët e Komisionit dhe përfaqësuesit e Shoqatës së të verbërve. Ndërkaq, lidhur me Projektligjin, Shoqata bëri një rekomandim i cili u vlerësua i arsyeshëm nga anëtarët e Komisionit dhe zv. ministri Avdiu. Vërejtja të cilën në emër të Shoqatës e paraqiti Bujar Kadriu, kishte të bënte me emërtimin e Projektligjit. Projektligji, tha ai, nuk duhet të quhet për persona te verbër dhe pjesërisht të verbër, por vetëm Projektligji për persona të verbër. Sipas Kadriut, nëse nga Projektligji do të përfitojnë personat me shkallën e verbërisë prej 90%, atëherë Projektligji do të jetë më lehtë i implementueshëm. Me këtë kategorizim, vijoi ai, Projektligji do të ketë kosto më të ulët financiare, dhe në këtë mënyrë do të përfitojë ajo kategori për të cilën mbështetja ligjore është e domosdoshme. Pas këtij rekomandimi, dhe premtimit të Ministrisë së Financave për mbështetje financiare, Komisioni vendosi që këtë Projektligj ta procedojë tutje për shqyrtim të parë në Kuvend.
Në vijim të mbledhjes, Komisioni shqyrtoi një peticionin të disa banorëve të kryeqytetit me banim në lagjet: "Agron Rrahmani", "Rasim Kiqina", "Demë Ahmeti", "Ramë Bllaca", "Skënder Anamali" dhe "Mehmet Akif Eroy", të cilët e kundërshtojnë ndërtimin e një xhamie pranë lagjeve ku ata jetojnë. Lidhur me këtë, Komisioni vlerësoi se për caktimin e lokacionit për ndërtimin e xhamisë kompetente janë organet komunale, ndërkaq kërkuan që leja për ndërtim të jepet në harmoni me Planin Zhvillimor Urban të komunës.
Në këtë mbledhje, Komisioni miratoi edhe Planin e Punës për vitin 2012.